Investimi në Qendrën e re kryesore të mjekësisë familjare në Obiliq synon të përmirësojë ndjeshëm shërbimet shëndetësore në komunë, tha kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi, në ceremoninë e vënies së gurthemelit të kësaj qendre.
Ai tha se projekti ka rëndësi të madhe për qytetarët dhe se ndërtimi përfaqëson vetëm fazën e parë të zhvillimit të qendrës, duke paralajmëruar edhe faza të tjera në të ardhmen. Thaçi: Kam një emocion të veçantë sot “E kam një emocion të veçantë për sot. Sot po e fillojmë gurthemelin e QKM-së, objekt që është shumë i rëndësishëm për qytetarët tanë.
Është faza e parë dhe do të vazhdojmë edhe fazat e tjera, prandaj sot kam nderin që këtë gurthemeli ta vendosim së bashku me kryeministrin dhe Ministrinë e Shëndetësisë”, u shpreh Thaçi. Ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë prezantimit të projektit theksoi rëndësinë e investimit dhe afatet e realizimit të tij.
Kurti: Projekti do të përfundojë brenda dy vjetësh “Porsa pamë projektin, i cili na dëshmon se sa moderne do të jetë Qendra kryesore e mjekësisë familjare këtu në Kastriot.
Mësuam edhe që sipërfaqja e gjithmbarshme do të jetë dy mijë e dyqind e pesëdhjetë metra katror, ndërsa punimet nga dita e sotme kur po e vendosim gurthemelin do të përfundojnë jo më larg se brenda dy viteve, pra në fillimverën e vitit 2028 është afati i fundit kur do të jetë e përmbyllur realizimi i qendrës kryesore të mjekësisë familjare në Kastriot.
Më shpejt se kaq – bën, më shumë nuk bën, dhe e falënderojmë operatorin ekonomik që do të punojë me dinamikë të shtuar në mënyrë që gjithçka të bëhet sa më shpejt, meqenëse tepër gjatë, për gati tri dekada, komuna e Obiliqit në Kosovën e pasluftës e ka pritur një objekt të tillë, i cili do të përbëhet edhe prej infrastrukturës moderne, por edhe prej pajisjeve të teknologjisë mjekësore që do të plotësojnë.” u shpreh Kurti.
