Një shtetas i Kosovës është arrestuar nga autoritetet serbe në pikëkalimin kufitar të Mutivodës, nën dyshimet për përfshirje në krime lufte, raporton Gazeta Sinjali. Bëhet fjalë për Osman Selmanin, i cili sipas familjarëve të tij, u ndalua nga policia serbe derisa po kthehej në vendlindje.
Familjarët kanë bërë të ditur se Selmani ndodhet në Prokurorinë për Krime Lufte në Beograd, ndërsa i kanë cilësuar si të pabazuara dhe të pavërteta akuzat e ngritura nga Prokuroria e Serbisë. “Ne besojmë në pafajësinë e tij dhe do të qëndrojmë pranë tij deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës. Kemi besim se drejtësia do të mbizotërojë dhe e vërteta do të dalë në pah.
Ju falënderojmë nga zemra për çdo mbështetje, lutje dhe fjalë inkurajuese në këto momente të vështira për familjen tonë”, thuhet në njoftimin e familjarëve të tij. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka konfirmuar arrestimin e një personi në pikëkalimin kufitar të Mutivodës, që lidh Kosovën me Serbinë, nën dyshimet për krime lufte.
“Ekzistojnë dyshime të bazuara se më , në vendin Sofali, Prishtinë, në bashkëkryerje me disa pjesëtarë të UÇK-së, me armë të ftohta dhe armë zjarri, në mënyrë mizore dhe tinëzare, ua ka marrë jetën civilëve të nacionalitetit serb, çiftit bashkëshortor Vlladimir dhe Persa Stanisavljeviq”, thuhet në njoftimin e MPB-së serbe.
Sipas autoriteteve serbe, ndaj O.S., i lindur më 1953, Gjykata e Lartë në Beograd ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Në njoftimin e MPB-së serbe nuk është bërë e ditur në mënyrë të qartë nëse i dyshuari ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
