Ish – sulmuesi i njohur anglez Gary Lineker ka kritikuar vendimin për anulimin e golit të Joshko Gvardiol në ndeshjen mes Kroacia dhe Portugalia, duke thënë se e kishte paralajmëruar një situatë të tillë që para nisjes së Kampionatit Botëror FIFA 2026.
Goli i Gvardiolit për 2:2 në minutën e 13-të të shtesës fillimisht i dha shpresë Kroacisë për vazhdime, por pas ndërhyrjes së VAR-it u anulua. Gjyqtarët vlerësuan se në fillim të aksionit Igor Matanović kishte prekur topin me flokë, ndërsa më pas Mario Pašalić ndodhej në pozitë jashtë loje. Vendimi shkaktoi reagime të shumta.
Përveç Linekerit, edhe ish-reprezentuesit anglezë Alan Shearer, Joe Cole dhe Micah Richards shprehën pakënaqësinë e tyre gjatë analizës në emisionin “The Rest Is Football”. Lineker kujtoi se para turneut ishte premtuar se VAR-i nuk do të ndërhynte shpesh në lojë, por sipas tij ndodhi krejt e kundërta.
“Na u tha se VAR-i nuk do të ndërhynte shumë, ndërsa unë thashë se do t’i bëhej mërzi dhe do të kërkonte të ishte në qendër të vëmendjes. Ja ku jemi. Ata vendosën se Matanoviq e preku topin, edhe pse duket qartë se trajektorja e tij nuk ndryshoi”, deklaroi Lineker. Edhe Joe Cole pranoi se ishte i bindur se goli do të pranohej. “Mendova se do ta njihnin golin.
Ky është një nga vendimet më të këqija në historinë e Kampionateve Botërore. E pabesueshme”, tha ai. Në të njëjtën linjë ishte edhe Micah Richards, i cili theksoi se, pavarësisht shikimit të përsëritur të pamjeve, nuk arriti të dallonte qartë prekjen e topit nga Matanovia. “E kam parë disa herë dhe sinqerisht nuk shoh kontakt.
Flitet për një gabim të qartë dhe të dukshëm, por këtu nuk ka asgjë të qartë. Të anulosh një gol në një moment të tillë të ndeshjes, për mua është qesharake”, u shpreh Richards. Anulimi i golit bëri që Kroacia të mbetej pa barazimin 2:2 dhe pa mundësinë për të luajtur vazhdimet, ndërsa Portugalia fitoi 2:1 dhe siguroi kualifikimin në çerekfinale.
Vendimi i VAR-it vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara pas ndeshjes, me opinionet që mbeten të ndara nëse Matanoviq e preku apo jo topin.
