Funerali gjashtëditor i Ali Khameneit pritet të mbledhë miliona

0%

Nga: The Guardian Shpërndaje në: Përmasat e mëdha të funeralit për udhëheqësin suprem, që do të zhvillohet në pesë qytete, synon t’i përcjellë botës një mesazh rezistence Në orët e para të së premtes, në mbarë Teheranin nisën të shfaqeshin postblloqe policore, stenda, postera dhe automjete ushtarake, ndërsa miliona iranianë përgatiteshin të merrnin pjesë në ceremoninë gjashtëditore të funeralit të vonuar të Ali Khameneit, udhëheqësit suprem të Iranit për 36 vjet të trazuara.

Khamenei u vra në sulmin e parë të ofensivës së përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit në muajin shkurt. Funerali synon të jetë një shfaqje madhështore e zisë, fuqisë kombëtare, qëndresës dhe kohezionit shoqëror.

Grupe të vogla qytetarësh të pikëlluar, duke mbajtur flamuj, u mblodhën përgjatë rrugëve të stolisura me simbolin e grushtit të kuq – simboli i funeralit – krahas sloganit: “Ne duhet të ngrihemi”. Në një ceremoni kushtuar familjeve të të rënëve, u ekspozua arkivoli i Ali Khameneit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Zëvendëspresidenti i parë i Iranit, Mohammad Reza Aref, i cili udhëheq organizimin e funeralit, e përshkroi ceremoninë – e cila nis të shtunën në Teheran dhe do të përfundojë të enjten me varrimin e Ali Khameneit në Mashhad – si “ngjarjen më të rëndësishme të këtij shekulli” dhe si tubimin me pjesëmarrjen më të madhe që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Përmasat e funeralit janë konceptuar për t’i përcjellë pjesës tjetër të botës mesazhe politike dhe fetare të rezistencës. Me kërkesë të politikanëve irakianë, trupi i Ali Khameneit do të përcillet gjithashtu nëpër qytetet shiite të Irakut, Karbala dhe Najaf.

Pavarësisht posterëve të shumtë ku shfaqet djali dhe pasardhësi i tij, Mojtaba Khamenei, duke ecur pranë të atit në një kopsht – një imazh që synon të përcjellë vazhdimësinë e udhëheqjes – ai nuk pritet të marrë pjesë në funeralin e babait të tij.

Mojtaba u plagos rëndë në sulmin e përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj një rezidence qeveritare në Teheran, pak pas orës të mëngjesit sipas kohës lokale, më 28 shkurt, sulm në të cilin humbën jetën shumë anëtarë të familjes së tij. Në atë sulm u vranë Ali Khamenei, vajza e tij dhe bashkëshorti i saj, bashkëshortja e Mojtabës, si dhe vajza e tyre 14-muajshe.

Shkalla e plagëve të Mojtaba Khameneit mbetet e panjohur dhe deri më tani ai ka publikuar vetëm deklarata me shkrim. Në njërën prej tyre ai u distancua nga negociatat për armëpushim, por njëkohësisht miratoi vazhdimin e tyre. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, e kërcënoi këtë javë me vdekje, duke deklaruar se ai ishte “shënjestër për eliminim”.

Këto deklarata nxitën qarqet konservatore në Iran të kërkojnë rishqyrtimin e vendimit të vendit që ndalon posedimin e armëve bërthamore.

Mohammad Bagher Ghalibaf, kryenegociatori i Iranit dhe kryetar i parlamentit, i cili vazhdon të jetë i pezulluar, në një mesazh të publikuar në prag të funeralit tha: “Ne duhet të ngrihemi dhe t’ia përcjellim botës thirrjen e kombit për gjakderdhje, në mënyrë që bota ta kuptojë se populli i nderuar dhe fisnik i Iranit nuk do të heshtë përballë shtypjes dhe arrogancës dhe nuk do ta kursejë gjakun e imamit të tij”.

Ai shtoi se “Irani qëndron në prag të krijimit të një prej skenave më madhështore në historinë e tij, një ditë kur një komb, me zemra të mbushura me dashuri, besnikëri dhe dhimbjen e ndarjes, mblidhet për t’i dhënë lamtumirën një njeriu të madh”. Funerali publik do të nisë të shtunën, në të njëjtën ditë kur Shtetet e Bashkuara shënojnë 250-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë.

Funerali nis në Xhaminë e Madhe Mosalla në Teheran, ku trupi i Ali Khameneit do të vendoset për homazhe së bashku me trupat e familjarëve të tij. Kompleksi i madh i xhamisë ka pritur ndër vite shumë ceremoni shtetërore dhe fetare. Gjatë gjithë javës, punëtorët e kanë përgatitur ndërtesën e madhe për ceremoninë, ndërsa zona është mbikëqyrur nga një prani e shtuar policore.

Funerali ishte planifikuar fillimisht për fillimin e marsit, por lufta me SHBA-në dhe Izraelin e bëri të pamundur organizimin e një tubimi kaq të madh. Një ceremoni e veçantë për udhëheqësit e huaj është planifikuar për të premten.

Ali Akbar Pourjamshidian, sekretar organizativ tha se priten përfaqësues nga rreth 30 vende, por shtoi se nuk janë ftuar udhëheqës nga Evropa apo Shtetet e Bashkuara.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, ka akuzuar vendet evropiane se janë rreshtuar në “anën e gabuar të historisë”, duke e cilësuar qëndrimin e tyre ndaj sulmeve amerikano-izraelite kundër Iranit si “vërtet të turpshëm”.

Për të hënën është planifikuar një marshim rreth 10 kilometra nëpër qendrën e Teheranit, nga Sheshi Imam Hossein deri në Sheshin Azadi, vend simbolik i Revolucionit Islamik të vitit 1979, që çoi në themelimin e Republikës Islamike. Pas vdekjes natyrore të udhëheqësit të parë suprem, Ruhollah Khomeini, në vitin 1989, drejtimin e vendit e mori Ali Khamenei.

Kryetari i bashkisë së Teheranit, Alireza Zakani, e ka cilësuar marshin e së hënës si “tubimin më të madh në historinë e qytetit” dhe ka parashikuar pjesëmarrjen e rreth 20 milionë njerëzve. Rreth 60 për qind e popullsisë së Iranit, prej afro 90 milionë banorësh, nuk ka njohur asnjë udhëheqës tjetër suprem përveç Khameneit.

Të martën, trupi i Khameneit do të dërgohet në qytetin e shenjtë Qom, ku do të kalojë nga faltorja e Fatima Masumehut drejt zhamisë Jamkaran. Temperaturat pritet të arrijnë rreth 40 gradë celsius. Të mërkurën, trupi do të transportohet në qytetet shiite të Karbalasë dhe Najafit në Irak.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i ka vizituar tashmë të dy qytetet për t’u konsultuar mbi ceremoninë, e cila synon të theksojë rolin e Khameneit si udhëheqës shpirtëror i myslimanëve shiitë. Varrimi do të bëhet të enjten në faltoren e Imam Rezës në Mashhad, vendlindjen e udhëheqësit suprem.

Duke qenë se funerali zhvillohet gjatë armëpushimit 60-ditor me Shtetet e Bashkuara, i cili synon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe rifillimin e bisedimeve, organizatorët shpresojnë që ceremonia të dëshmojë unitetin e iranianëve rreth udhëheqjes së re të vendit, ndërsa Teherani përpiqet të sigurojë lëshime në negociatat me Washingtonin.

Megjithatë, autoritetet vazhdojnë të përballen me kërcënime serioze për sigurinë, si nga rreziku i sulmeve terroriste, ashtu edhe nga kontrolli i turmave. Varrimet e Ruhollah Khomeinit në vitin 1989 dhe të komandantit të Gardës Revolucionare Islamike, Qassem Suleimani, në vitin 2020, u shoqëruan me kaos.

Gjatë funeralit të Khomeinit, trupi i tij pothuajse humbi mes turmës që shtyhej përpara dhe griste qefinin. Autoritetet kanë shpallur të mbyllura zyrat shtetërore dhe private në Teheran nga e shtuna deri të hënën, ndërsa kufizimet në qarkullim pritet të ushtrojnë presion të madh mbi sistemin e metrosë.

Pjesëmarrësve u është kërkuar t’i lënë automjetet në periferi të kryeqytetit për të shmangur bllokimin e plotë të rrugëve të Teheranit. Hapësira ajrore e qytetit do të mbyllet gjithashtu të hënën, ndërsa avionë luftarakë do të patrullojnë për çdo shenjë të një sulmi të mundshëm ajror nga Izraeli.

Organizatorët e funeralit, të vetëdijshëm se një lavdërim i pakushtëzuar i jetës së Khameneit pa përmendur vështirësitë ekonomike me të cilat përballen miliona iranianë mund të shkaktojë reagime, kanë vendosur postera me sloganin “Një e ardhme e ndritur për Iranin”, krahas mesazhit fetar “Ai duhet të ngrihet”.

Data e funeralit përkon me muajin Muharrem, muajin e parë të kalendarit islam, kur myslimanët shiitë përkujtojnë martirizimin e Husejn ibn Aliut, nipit të profetit Muhamed, i cili në shekullin e shtatë refuzoi t’i betohej për besnikëri kalifit omejad Jezid I, të cilin e konsideronte tiran.

Organizatorët e shohin të qartë paralelizmin mes këtij rrëfimi dhe vdekjes së Khameneit në përballje me Perëndimin. Në një nga fjalimet e tij të fundit, më 17 shkurt, Khamenei iu referua këtij simboli shiit të qëndresës, duke thënë: “Dikush si unë nuk i betohet për besnikëri dikujt si Jezidi.

Një komb me kulturën e Iranit nuk u betohet për besnikëri udhëheqësve të korruptuar si ata në Amerikë”.

Burimi: Koha