Manchester United ka hapur bisedimet me West Hamin për transferimin e Crysencio Summerville, ndërsa synon ta përforcojë repartin ofensiv gjatë kësaj vere. Megjithatë, çdo marrëveshje e mundshme për anësorin holandez pritet të varet nga e ardhmja e Marcus Rashfordit, pasi pasiguria rreth sulmuesit anglez po vazhdon t’i mbajë pezull planet e “Djajve të Kuq” në merkato.
Sipas “talkSPORT”, United ka shtuar interesimin për Summerville dhe tashmë klubet janë në kontakt të drejtpërdrejtë për një transferim të mundshëm veror. Bisedimet janë ende në fazë fillestare, por 24-vjeçari është shndërruar në një nga objektivat kryesorë të klubit për krahët e sulmit.
Summerville pritet të kushtojë rreth 50 milionë funte, pas paraqitjeve të tij të mira sezonin e kaluar dhe shkëlqimit në Kupën e Botës gjatë kësaj vere. Reputacioni i tij është rritur ndjeshëm falë paraqitjeve me Holandën në skenën botërore.
Edhe pse “Tulipanët” u eliminuan nga Maroku në raundin e 32 më të mirave, Summerville ishte një nga lojtarët më të dalluar të skuadrës së Ronald Koemanit. Ai shënoi në dy ndeshjet e para të fazës së grupeve dhe dha një asist të rëndësishëm për Cody Gakpon në fazën eliminatore.
Manchester United po monitoron edhe alternativa të tjera, përfshirë Ismaila Sarrin e Crystal Palace, teksa kërkon të mbulojë të gjitha opsionet për pozitat anësore në sulm. Por, pas eliminimit të Holandës nga Botërori, klubi anglez tani ka një mundësi më të qartë për të negociuar drejtpërdrejt me Summerville.
Megjithatë, pavarësisht interesimit për holandezin, çdo lëvizje konkrete për një anësor të ri lidhet ngushtë me situatën e Marcus Rashfordit. Reprezentuesi anglez pritet të kthehet në Manchester këtë verë, por e ardhmja e tij afatgjatë në “Old Trafford” mbetet e paqartë pas një periudhe larg ekipit të parë. Rashford nuk ka luajtur për United që nga viti 2024, pasi ka kaluar kohë në huazim.
Së fundmi, Barcelona vendosi të mos e blejë përfundimisht pas periudhës së tij të përkohshme në La Liga, duke e lënë sulmuesin në një pikë vendimtare të karrierës. Ai ende mund të qëndrojë nën drejtimin aktual të klubit, por klauzola e tij prej 40 milionë funteve — e vlefshme për çdo klub përveç Manchester Cityt dhe Liverpoolit — mbetet një temë e rëndësishme në treg.
United pritet të vazhdojë bisedimet me West Hamin, ndërsa paralelisht po monitoron situatën e Rashfordit. Vendimi për sulmuesin anglez pritet të përcaktojë nëse klubi do të ecë përpara me transferimin e Summerville apo do të kërkojë alternativa të tjera për krahët e sulmit. Summerville e mbylli sezonin në Premier League me pesë gola dhe katër asistime në 31 paraqitje.
Edhe pse West Hami ra nga liga, Manchester United beson se anësori ka potencial për t’u zhvilluar edhe më shumë, nëse marrëveshja arrin të finalizohet.
