Surroi: Bashkëpunimi për presidentin të nisë me kriteret për

0%

Shpërndaje në: Publicisti Veton Surroi, ka dhënë disa sugjerime rreth paqartësive lidhur me zgjedhjen e Qeverisë dhe presidentit të Republikës.

Ai ka thënë se bashkëpunimi politik për zgjedhjen e presidentit mund të fillojë jo nga ndarja e pushtetit qeveritar, por nga përcaktimi i kritereve për figurat që mund ta përmbushin rolin kushtetues të unitetit të popullit dhe që pastaj i nënshtrohen procedurës së zgjedhjes në Kuvend.

“Integrimi i interesave të partive politike mund të përfshijë edhe dakordim për një ushtrim më aktiv të kompetencave presidenciale në fushat ku Kushtetuta ia njeh këtë rol Presidentit, duke siguruar që zëri i opozitës të jetë i përfshirë në mënyrë të barabartë në çështjet e interesit shtetëror”, ka shkruar Surroi në një postim në Facebook.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai ka thënë se asnjë subjekt politik nuk ka mandat që ta zgjedhë i vetëm presidentin e Republikës dhe njëkohësisht, asnjë subjekt politik nuk duhet ta përdorë peshën e vet parlamentare për të pamundësuar funksionimin kushtetues të institucioneve. “Kushtetuta parasheh që presidenti të zgjidhet përmes një procesi që kërkon bashkëpunim politik.

Ky bashkëpunim duhet të mundësojë integrimin e interesave të zgjedhësve dhe partive politike, duke respektuar njëkohësisht rolin e presidentit si faktor i unitetit të popullit”, ka deklaruar Surroi. Ai ka thënë se disa subjekte politike që kanë qenë në opozitë po vendosin kushte për pjesëmarrjen në procesin e zgjedhjes së Presidentit.

Por sipas tij këto kushte duhet të lidhen me funksionin kushtetues të presidentit dhe jo me kompetenca që Kushtetuta ia jep Qeverisë. “Presidenti nuk përcakton politikat energjetike, ndërtimin e autostradave, nivelin e tatimeve apo shpërndarjen buxhetore për komunat.

Në sistemin parlamentar të Kosovës këto janë përgjegjësi të Qeverisë , e cila buron nga shumica parlamentare”, ka theksuar Surroi. Ai ka vlerësuar se zgjedhjet e 7 qershorit u dhanë njëkohësisht të gjithë deputetëve mandatin dhe përgjegjësinë kushtetuese për pjesëmarrje në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

Sipas tij kjo përgjegjësi lidhet me natyrën kushtetuese të funksionit presidencial. Presidenti nuk është bartës i pushtetit ekzekutiv qeveritar; kompetencat e tij/saj janë të veçanta nga ato të Qeverisë. Prandaj është e papërputhshme që zgjedhja e presidentit të trajtohet si vazhdim i negociatave për programin apo ndarjen e përgjegjësive në Qeverinë e ardhshme”, ka theksuar Surroi.

Ai ka theksuar se zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit i dhanë mandat Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për të provuar formimin e Qeverisë së radhës, në pajtim me Kushtetutën dhe me vullnetin e shprehur të qytetarëve.

Sipas tij në rast se partnerët e zgjedhur për koalicion janë partitë e disa prej komuniteteve joshumicë, sikundër pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025, do të ishte e pritshme që të ketë dakordim të shpejtë për përbërjen e Qeverisë dhe programin qeverisës.

Burimi: Koha