Një incident i rëndë është regjistruar pasditen e së enjtes në zyrat e kompanisë Art Motion në Fushë Kosovë, ku një 33-vjeçar dyshohet se ka kanosur një punonjëse dhe më pas ka shkaktuar dëme edhe brenda ambienteve të Policisë, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur në rrugën “ Enver Maloku” , ku i dyshuari B.Gj. rreth 33 vjeç kishte hyrë në zyrat e kompanisë dhe, sipas kallëzimit të viktimës E.S. rreth 26 vjeç, kishte filluar të përdorte fjalor fyes dhe të sillej në mënyrë agresive.
Sipas raportimit, situata ka eskaluar kur ai dyshohet se e ka kërcënuar viktimën me fjalët: “Do ta paguani me jetë ”, pasi ajo kishte njoftuar Policinë. Pas shoqërimit në Stacionin Policor, i dyshuari ka vazhduar me sjellje të pakontrolluara, duke goditur me kokë raftet në zyrat e Policisë dhe duke shkaktuar dëme materiale.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprat penale “ Kanosje ” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë ”, ndërsa B. Gj. është dërguar në ndalim për 48 orë. Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
