Një rast i dhunës në familje dhe kanosjes është iniciuar nga Policia e Kosovës në Pejë, pasi një 29-vjeçar ka raportuar se po kërcënohej nga ish-e dashura e tij, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima, A.E rreth 30-vjeç, është paraqitur në Stacionin Policor në Pejë, ku ka deklaruar se përmes aplikacionit WhatsApp kishte pranuar mesazhe me përmbajtje akuzuese dhe kërcënuese nga ish-partnerja e tij, A. B rreth 26-vjeçare.
Sipas kallëzimit, e dyshuara e kishte akuzuar se kishte publikuar një fotografi të saj në rrjetet sociale, ndonëse ai ka mohuar të ketë bërë një veprim të tillë. Ai ka deklaruar se më pas kishte pranuar edhe mesazhe kërcënuese, ku i thuhej se do të publikoheshin fotografi të familjarëve të tij. Viktima ka deklaruar se me A.
B. është ndarë rreth një vit më parë dhe se edhe në të kaluarën kishte pasur probleme të ngjashme, për të cilat ishte njoftuar Policia. Sipas tij, e dyshuara aktualisht ndodhet në Gjermani. Siç mëson Sinjali, Policia ka tentuar ta kontaktojë numrin nga i cili janë dërguar mesazhet, por ai ka rezultuar i paqasshëm. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj A.
B. është iniciuar hetim penal për veprat “Dhunë në familje” dhe “ Kanosje ”, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
