Shurdhëria qeveritare dhe mospërfaqësimi, baza reale e krizës aktuale

0%

Protestat e nisura me flamingot, ngjyrosur si për ironi të fatit me ngjyrën rozë, atë që duhet të ishte përfaqësuese e partisë në pushtet, tashmë e kanë thyer çdo tabu, kanë tejkaluar çdo paramendim dhe kanë flakur tej çdo maskë.

Aty duken qartë të gjitha ngjyrat, që nga ato që vuajnë për bukën e gojës e deri tek ata që vuajnë për karrige pushteti apo për pak “resorte luksi” në bregdet, që nga ata që e duan Shqipërinë si gjithë Europa, e deri tek ata që s’e duan Europën dhe Shqipërinë e duan “kala” në brigjet e Adriatikut, halë në sy për ta, që nga ata që e duan amerikën e madhe aleate e protektore të përjetshme, deri tek ata që pranojnë të hanë “edhe barë”, por jo ndihma e kredi nga imperialistët amerikanë, që nga ata që Shqipërinë e quajnë të vonuar në dyert e zhvillimit, deri tek ata që e duan atë si në kohën e mesjetës, çiflig të një numri të kufizuar njerëzish, aleatë të perjetshëm të pushteteve.

Pavarësisht heterogjenitetit të tyre të dukshëm edhe në fjalimet e oratorëve, në parullat që hidhen e në paqartësinë infantile të së nesërmes post protestë, një gjë është e qartë: të gjithë ata janë të pakënaqur me qeverisjen aktuale, ndonëse hedhin edhe ndonjë parullë antisistem e anti – klasës politike të tranzicionit postkomunist në tërësi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sigurisht ka njerëz që i nxitin, brenda dhe jashtë vendit, patjetër ka edhe financues që e bëjnë këtë xhest si kontribut ndaj vendit, ashtu siç ka të tillë, që e bëjnë këtë si investim për të siguruar postet e majme të së nesërmes. Shumica janë atdhetarë të pakënaqur, por ka edhe ndonjë hor të fshehur e antishqiptar të thekur.

Sidoqoftë, kjo protestë tani ka hyrë ne kalendarët e lëvizjeve antiqeveritare, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më tej, për masivitetin, kohëzgjatjen dhe qetësinë e saj të derisotme, të pashembullt edhe në vendet me demokraci funksionale shumë më të stabilizuar e shumë më të hershme se kjo psudodemokracia jonë, e shartuar gjysmë komuniste, e gjysmë anarshiste.

Pyetja se pse kaq shumë njerëz sfidojnë vapën, hallet e përditshme, kohën e çmuar e shumëçka tjetër, tashmë e ka marrë përgjigjen edhe për njerëzit më skeptikë. Është shurdhëria epike qeveritare dhe mospërfaqësimi real, ai që i ka ngritur njerëzit në këmbë, por edhe çelësi i zgjidhjes demokratike të krizës aty duhet kërkuar.

Njëra palë në maje të fikut e tjetra derdhur masivisht në bulevard për të kërkuar të drejtat, për të kritikuar punën e dobët, korrupsionin, përkrahjen e oligarkëve nga ana e qeverisë dhe pushtetit në bazë, nuk kanë mundësi reale t’a gjejnë zgjidhjen e duhur.

Kështu si po vijojnë ngjarjet, përfundimet mund të jenë të shumta, por zgjidhje reale dhe të qëndrueshme e dobiprurëse për shqiptarët nuk mund të ketë. Kriza e padëgjueshmërisë apo shurdhërisë qeveritare zgjidhet me zgjedhje, ndërsa kriza e mospërfaqësimit (e dukshme tek votuesit e majtë kjo!) zgjidhet me ndryshimin e sistemit politik, minimalisht të Kodit Zgjedhor.

Le të shpjegohem: Qeveria e sidomos kryeministri, parlamenti, ministrat e sidomos disa të tillë që as emrin s’ua di askush, deputetët e parlamentit, sidomos ata që s’u ka thënë askush kurrë puna e mbarë, kryetarët e pushtetit lokal demokratiko – rilindas, që njihen për bëmat e tyre më të mostërta e jo në favor të zgjedhësve të vet, veçanërisht ata të konvertuarit përmes ylberit nga socialist në LSI – ist, demokratë e rilindas për pushtet, të gjithë këta, do të duhet të kërkojnë falje e të ftojnë protestuesit në dialog, jo për t’ia dorëzuar pushtetin udhës, por si garanci që do t’i dëgjojnë ata, do të selektojnë prej kërkesave të tyre kakofonike ato që mund të realizohen, të analizojnë rrugët e arritjes aty ku duhet, e të nënshkruajnë marrëveshjen e munguar, apo kontratën me zgjedhësit, kontratë që si Rama edhe Balla e ndonjë kakarriq tjerër parlamentar e përmendin se e kanë me 860 mijë votuesit e tyre.

Me këtë rast, theksoj se ata duhet të dialogojnë me zgjedhesit e tyre. Ata, pjesë e atyre 860 mijë votuesve të majtë, edhe në mos qofshin aty fizikisht, janë në shesh me pakënaqësitë e tyre, me indiferencën e tyre, me zemërimin e tyre. E dini pse?

Përveç vitit 2013, duke mos patur një program elektoral, bile as duke mos e ndjerë nevojën për të, Rilindja është votuar për mungesë alternative, deputetët e saj janë pranuar si ferrat e trëndafilit, programi i saj i përfaqësuar nga tallavaja e kryeministrit, është votuar si mungesë, jo si prani e kontratë sociale. Berisha, ka qenë dhe mbetet justifikim i përhershëm për këtë.

Pra s’ka një kontratë mes qeveritarëve e zgjedhësve e më kot Rama e të tijtë mburren për një të tillë. Punë janë bërë sa të duash, por jo sa mund të bëheshin, e kjo nga korrupsioni galopant e gjenerik në të gjithë sistemin politik dhe qeveritar.

Vjedhja hapur, hakërrimi i zërit ndaj kujtdo: – S’keni parë gjë akoma!, shurdhëria qeveritare e të gjitha niveleve ndaj halleve e nevojave të njerëzve, tregimi i dyerve të burgut, hekurave ndaj kujtdo e për gjithçka, veç shpurës së vet, mospërfaqësimi ekstrem nga të zgjedhurit dhe të emëruarit e çdo niveli, kryer dukshëm bazuar në premisa jo meritokratike, por korruptive e kriminale, janë shkaqet që nuk u duan më.

Shko në zgjedhje të lira e të ndershme zotni Rama dhe provo sa të vlen lëkura! Ja, këto fjalë po t’i them unë që gjithë jetën të votova për lule, e më dole murriz, po t’i them unë edhe në emrin e shumë votuesve që ndër vite më kanë ndjekur, duke parë fytyrën time në pushtetin tuaj, por që tash e dallojnë qartë zgërdhimjen e djallit në fytyrat tuaja. – A nuk ju vjen turp të hyni e të dilni nga kuvendi nën goditjet e sharjet e protesve e me mbrojtjen e policisë? – A s’ju vjen turp të ballafaqoheni qoftë edhe njëherë të vetme me realitetin? – A s’ju vjen turp t’i thoni vetes të majtë e përfaqësues të saj, kur jeni shumica injorantë, hajdutë e kriminelë të njohur?

Boll më! Edhe Enveri (më duhet t’i kërkoj falje atij, jo ty, qe po të krahasoj me të!) bënte sikur dëgjonte popullin. Asnjë vendim i madh, as për shifra e rrugë zhvillimi nuk merrej pa pyetur (së paku formalisht) popullin. Po Ju? Të gjitha i dini Ju!

Kryetar bashkishë e deputetë me shkolla kriminale, injorantë e mbjellës droge, administratë pa nivel dhe edukatë, servile dhe e përkulur ndaj eprorëve e zëngritur ndaj hallexhinjëve, drejtora kriminelë aty ku rrjedh fluksi i parasë, mendjemadhësi, arrogancë, mospërfillje, monologje në vend të dialogut, ju bëjnë Ju jo përfaqësues e, për më tepër, të urryer nga ata që ju kanë votuar, në radhë të parë.

Çdo e keqe që mund të rreshtoj sot, gjen veten tek Ju, pa frikë. Dhe ju duhet të ndiheni keq ndaj nesh që ju votuam, jo ndaj atyre që s’u votuan kurrë! Atyre duhet t’u kërkojmë falje ne, të gjithë ata si unë, që u lamë mbi krye njerëz si Ju! Po protestuesit?! Natyrisht që në kakofoninë e tyre edhe ata s’dëgjojnë. E kanë gjetur atë formë si të vetmen mënyrë kundër shurdhërisë suaj.

Ndaj të shurdhërve duhet zëri i ngritur. Tregojnë se një plak kishte një mik të mirë. Kishte kohë pa u parë me të, e u kërkoj të bijëve të shkonte të bunte një natë atje. – Mirë! – i thanë të bijtë, – po ai s’dëgjon mirë nga veshët e tash po të duhet të bërtasësh fort. Ashtu bëri plaku i përmalluar për mikun e tij, shkoi dhe i bëzani në derë me zërin në kupë të qiellit.

Edhe miku, duke menduar se nuk dëgjon ai, iu përgjigj me të njejtën monedhë. Zërat e ngritur dyanshëm e bënë bisedën të pavijueshme. Dikur i Zoti i shpisë e pyeti shokun, që mendonte se e njihte mirë: – A ka kohë që t’kanë lanë veshët? Miku e kuptoi situatën, qeshi e i tha: – Besa veshët jo, po m’ka lan mendja, se dëgjova djemtë… Ja, këtu ka arritur puna.

Duhen ulur tonet drejt marrëveshjes. Duhet flakur karriga për të mirën e vendit dhe të popullit. Duhet bërë kjo me guxim, vendosmëri dhe shpejt, ndryshe orteku i padëgjueshmërisë reciproke do t’i verë flakën vendit. Duhet zhdukur shkaku, që të bjerë pasoja.

Mospërfaqësimin që ulurt dukshëm e rregullojnë zgjedhjet demokratike, padëgjueshmëria që sjell papërgjegjshmëri, duhet braktisur nga qeveritarët e protestuesit. Vendi kërkon zgjidhje paqësore, dhe jo luftë. Zgjatja e shurdhërisë rrezikon ose dhunë dhe simptomat e saj janë shfaqur tashmë hapur, ose lodhje e diktaturë që askush se dëshiron.

Çdo zgjidhje tjetër jo politike e jo demokratike, është në dëm të Shqipërisë. Hapi rreth dialogut gjithnjë e hedh i pari më I forti…

Burimi: Bota Sot