Efekti domino i bllokadës: Çfarë efektesh ka për Kosovën humbja e mbi

0%

Derisa tri vende të rajonit po bëhen gati të arkëtojnë miliona eurot e para nga Plani i Rritjes i Komisionit Europian, Kosova llogaritet se ka humbur mbi 40 milionë euro, ndërsa po pritet vetëm vendimi përfundimtar i Brukselit.

Afati shtesë i 30 qershorit 2026 ka skaduar zyrtarisht, duke shënuar një dështim financiar dhe një goditje strategjike për vendin, gjë që rrezikon të shndërrohet në një efekt domino me pesë nivele, duke kërcënuar projektet investive, imazhin ndërkombëtar dhe vetë rrugëtimin integrues të shtetit drejt familjes evropiane.

Krejt kjo ka ndodhur si pasojë e një cikli të vazhdueshëm zgjedhor dhe mungese të ujdisë politike që bllokoi dhe vazhdon ta paralizojë Kuvendin. Konfirmimi zyrtar për humbjen e mundshme të parave erdhi nga vetë kryenegociatori i Kosovës për BE-në, Jeton Zulfaj, më 01.07. 2026, një ditë pasi përfundoi periudha grejs.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Për Kosovën, agjenda e Reformave përmban gjithsej 111 hapa me rreth 300 nënhapa. Nga 13 hapat që kishin afat deri në ditën e fundit të qershorit, qeveria konsideron se ka zbatuar 7 prej tyre, ndërsa 6 dështuan të zbatohen.

Zulfaj sqaroi se nga 6 hapat e mbetur, pesë prej tyre vareshin direkt nga miratimi i ligjeve në Kuvend, ndërsa i mbeturi – Strategjia për Luftimin e Krimit të Organizuar – mbeti peng i procedurave pasi nuk mund të miratohej nga një qeveri në detyrë. “Për hapat që nuk kanë arritur të përfundohen në periudhën shtesë, mjetet e dedikuara për përfundimin e tyre humbin.

Nga 13 hapat që kishin afat shtesë deri më 30 qershor, shtatë konsiderohen të zbatuar, ndërkaq gjashtë nuk kanë arritur të zbatohen plotësisht… Kostoja llogaritet të jetë mbi 40 milionë euro”- deklaroi Zulfaj. “Paratë shkojnë aty ku ka rezultate” Logjika e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor ka pësuar një ndryshim rrënjësor: epoka e integrimit si “bllok” ka mbaruar.

Siç shpjegon Dritëro Arifi, profesor i shkencave politike në UBT, Brukseli e ka braktisur parimin që të gjitha shtetet e rajonit duhet të ecin bashkë. “Pra, kjo logjikë është kthyer në: paratë shkojnë aty ku reformat prodhojnë rezultat. Pra, ky është qëllimi i integrimit realisht, nëse e shohim në këtë prizëm.

Kështu që fondet mund të reduktohen ose të rishpërndahen nëse përfituesit nuk i përmbushin kushtet dhe reformat”- tha Arifi për Kallxo.com. Në këtë garë, derisa Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar kriteret, Kosova, Bosnja dhe Serbia po dëmtohen direkt nga moszbatimi i tyre.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë afat deri më 15 korrik për t’i dorëzuar raportet mbi hapat e zbatuar të reformave. Komisioni Evropian më pas do të vlerësojë përmbushjen e tyre dhe do të vendosë për pagesat përkatëse për secilin vend.

Komisioni Evropian ka bërë të ditur se do të shqyrtojë reformat e arritura nga vendet e Ballkanit Perëndimor pas skadimit të afatit shtesë (periudhës grejs), por theksoi se aktualisht nuk ka ndonjë vendim për penalizimin e tyre apo rialokimin e fondeve.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, në një konferencë për media, ka sqaruar se pavarësisht skadimit të këtij afati që lidhet me kërkesën e dytë për pagesë, Brukseli zyrtar fillimisht do të bëjë vlerësimin e raporteve që do të dërgohen nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Mercier ka bërë të ditur se procesi tani kalon në fazën e shqyrtimit të raporteve që vijnë nga rajoni.

“Pra, ajo që do të bëjmë tani është që me të vërtetë do të shqyrtojmë reformat që janë arritur deri më tani lidhur me këtë periudhë grejs, dhe potencialisht mund të shohim mundësinë e rialokimit të financimit. Por në këtë fazë, është shumë e rëndësishme të përmendet se nuk është marrë asnjë vendim” – ka deklaruar Mercier më .

Pesë nivelet e goditjes për Kosovën Nëse kjo bllokadë vazhdon, pasojat nuk do të mbyllen me miliona eurot e humbura në qershor. Kosova ka në dispozicion një pako prej 882 milionë eurosh deri në vitin 2027, dhe koha po ikën me shpejtësi – ka mbetur afërsisht vetëm një vit e gjysmë kohë.

Profesori Dritëro Arifi paralajmëron se pasojat e këtij joserioziteti do të shfaqen në pesë nivele shkatërruese për vendin duke filluar nga pasojat financiare deri te dëmtimi i vizionit zhvillimor. Edhe politologu Melazim Koci vlerëson se pos humbjes se fondeve nga Plani i Rritjes per shkak te krizës politike, Kosova është duke humbur shumë në kredibilitetin e saj në rrafshin ndërkombëtar.

“Dëmi më i madh është pikërisht në planin e jashtëm, sepse ata që janë kundër pavarësisë së Kosovës (pesë vendet mosnjohëse të BE-së, Kina, Rusia…) tani këtë krizë mund ta shfrytëzojnë si justifikim për të goditur kredencialet shtetërore të Kosovës. Ky është dëmi më i madh.

Do të jetë e pafalshme nëse klasa politike nuk arrin ta kuptojë se, duke zvarritur krijimin e institucioneve, është duke goditur vetë themelet e shtetit”- tha ai për Kallxo.com. Kosova ka tërhequr 62 milionë euro si parafinancim (7% e shumës), por pjesa tjetër kushtëzohet me hapat e agjendës.

Sipas profesor Arifit, Kosova tashmë ka humbur fazën e parë prej 13 hapash që vlente rreth 90 milionë euro dhe se rreziku i madh vjen në fund të vitit, kur afati i dytë përfshin rreth 27 hapa me vlerë 165 milionë euro. Së bashku, shuma e rrezikuar brenda vitit kap vlerën e rreth 250 milionë eurove.

“Është jashtëzakonisht shumë e madhe dhe, nëse këtu nuk ka seriozitet, kjo elitë politike është e çmendur. Pra, po e them pak më thjeshtë që ta kuptojë edhe qytetari” – u shpreh Arifi. Në terma konkretë, edhe një palë zgjedhje të reja do i humbnin Kosovës miliona euro më shumë. Profesor Arifi tërheq vëmendjen se ky dështim dëmton reputacionin e jashtëm.

Edhe pse Kosova është vendi më pro-evropian, sipas tij, ngecja tregon mungesë aftësie për të bërë reforma, gjë që godet kredibilitetin e institucioneve dhe të vetë shtetit. “Pra, këto vonesa nuk e godasin vetëm buxhetin, por edhe kredibilitetin e institucionit, shtetit dhe kërkesës për statusin kandidat. Pjesa e tretë lidhet pikërisht me statusin kandidat.

Pra, edhe pse drejtpërdrejt kjo nuk do të thotë që Plani i Rritjes do të ndikojë, por tregon njëfarë lloj koherence dhe serioziteti që ky vend është i gatshëm; pra është sinjal i qartë që ky vend po i zbaton reformat”- shtoi ai. Sipas Arifit, Plani i Rritjes tregon koherencë.

Nëse vendi ngec, atëherë sipas tij, dërgohet sinjali se Kosova nuk është e gatshme për statusin kandidat, duke marrë parasysh specifikat dhe problematikat e Kosovës në raport me BE-në.

Meqenëse BE-ja i shpërndan fondet sipas rezultateve, profesor Arifi paralajmëron se “vendet rajonale mund të përfitojnë më shumë fonde dhe të zhvillohen shumë më shpejt, dhe ne nëse mbetemi të fundit, si periferi e problemit, kjo do të na dëmtojë edhe në zhvillimin gjithëpërfshirës”. Ky sipas tij është një gabim strategjik i qeverisë.

Arifi thotë se dëmtimi i vizionit zhvillimor, vlerësohet si pasoja më gjithëpërfshirëse. Sipas tij, Plani i Rritjes nuk përmban vetëm para, por prek direkt sundimin e ligjit, qeverisjen, ekonominë, tranzicionin e gjelbër, digjitalizimin, kapitalin njerëzor dhe projektet infrastrukturore.

Për këtë arsye, profesor Arifi konkludon se “të gjitha këto gabime mund të na kushtojnë jashtëzakonisht shumë dhe kjo do të ishte njëra nga humbjet më strategjike që Kosova ka pasur që nga shpallja e pavarësisë”.

Nga ana tjetër, kryenegociatori Jeton Zulfaj premton se qeveria do t’i shtyjë këto reforma për aprovim në seancën e radhës të Kuvendit me të njëjtin vullnet, pasi ato janë për të mirën e qytetarëve – ndërkohë që vendi akoma nuk ka institucione të konstituara.

Megjithatë, ai e bëri të qartë se mjetet e lidhura me afatin e qershorit tashmë janë djegur dhe se tani fokusi duhet të jetë te dhjetori, ku bëjnë pjesë 61 hapa në vlerë prej 444 milionë eurosh. Për t’i shpëtuar ato, siç u shpreh Zulfaj, “është tejet e rëndësishme që të kemi Kuvend funksional”.

Si shembull flagrant, kryenegociatori përmendi ligjet për Energjinë, të cilat kërkonin procedurë të përshpejtuar dhe votat e dy të tretave të të pranishmëve. Sipas Zulfajt, opozita qëndroi në sallë enkas për të pamundësuar këtë prag, duke bllokuar kështu ligjet e energjisë dhe integrimin në SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro).

“Pothuajse të gjithë hapat që nuk kanë arritur të zbatohen në afatin shtesë, janë si pasojë e mos funksionimit të kuvendit dhe bllokadës në Kuvend” – tha Zulfaj.

Gjashtë reformat që nuk zbatuan dhe llogariten se kushtojnë mbi 40 milionë euro: janë Ligjet për energjinë dhe energjinë elektrike së bashku me aktet nënligjore; Ligji për ndihmën shtetërore dhe Sistemi i Kontrollit të Ndihmës Shtetërore; Ligji për inovacion dhe ndërmarrësi (Këshilli Kombëtar për Inovacion dhe Fondi i Inovacionit); Legjislacioni kornizë për falimentimin/paaftësinë paguese dhe Ligji për kamatëvonesat; Pakoja prej 6 ligjeve jetike (përfshirë ligjet për KPK-në, KGJK-në, Akademinë e Drejtësisë, përgjegjësinë disiplinore, rekrutimin dhe kontrollin e integritetit); dhe, Strategjia për Luftimin e Krimit të Organizuar.

Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro: 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë të kredisë. Më , Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen ndërkombëtare me Bashkimin Europian – Planin e Rritjes.

Kjo është një ndër marrëveshjet me vlerën më të madhe dhe më të rëndësishmet që përfiton Kosova. Për shkak të ngërçit të gjatë politik dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja, Plani i Rritjes kishte mbetur pa u ratifikuar për më shumë se një vit, duke mbajtur pezull shumën prej 882 milionë eurosh.

Burimi: Kallxo