Ministrja në detyrë e Tregtisë, Mimoza Kusari- Lila deklaroi se pas certifikimit të rezultateve zgjedhore pritet të nisë komunikimi zyrtar ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive të tjera për krijimin e institucioneve të reja. Ajo theksoi se deri tani ka pasur vetëm deklarime të përgjithshme, ndërsa vendimet zyrtare të partive janë të domosdoshme për avancimin e procesit.
Sipas saj, situata politike është më e ndërlikuar se në zgjedhjet e kaluara, pasi brenda disa partive ekzistojnë qëndrime të ndryshme për koalicionet dhe marrëveshjet politike. Këto mospajtime mund të pengojnë arritjen e një dakordimi dhe konstituimin e institucioneve. Kusari-Lila u shpreh se kërkesat e partive për mbështetje duhet të trajtohen në kuadër të programit qeverisës.
Ajo kritikoi politizimin e projekteve strategjike, si ai i gazit amerikan, duke theksuar se tema të tilla nuk duhet të përdoren për përplasje politike, por të diskutohen në interes të vendit. Lidhur me ndarjen e posteve, ajo tha se është ende herët për të folur për emra konkretë, pasi kjo do të diskutohet gjatë negociatave ndërmjet partive.
Kusari-Lila shtoi se subjektet politike duhet të paraqesin qëndrime të qarta dhe të garantojnë mbështetjen e deputetëve të tyre për të mundësuar krijimin e institucioneve të reja. Të gjendur në këtë situatë a do ndikojnë përçarjet e brendshme tek partitë politike në raport me mundësinë për marrëveshje ndërpartiake dhe formim të institucioneve dhe zgjedhjes së presidentit?
Burjani: Nëse nuk arrihet një marrëveshje, e domosdoshme të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani. Blerim Burjani.
Ai thotë se VV duhet të sqarojë qartë me cilat parti është e gatshme të bashkëpunojë për formimin e qeverisë, sepse nëse refuzon çdo mundësi koalicioni, vendi mund të përfundojë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.
“Së pari, VV duhet të jetë e sinqertë dhe të deklarohet qartë nëse është e gatshme për të gjitha variantet e koalicioneve politike, qofshin ato gjithëpërfshirëse, vetëm me LDK-në, apo me LDK-në dhe AAK-në. Me PDK-në, sipas deklarimeve të deritanishme, nuk dëshiron të ketë asnjë lloj bashkëpunimi.
Nëse me asnjërën prej këtyre partive nuk dëshiron të bëjë koalicion në asnjë variant, atëherë nuk mbetet zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme ”, u shpreh ai. Tutje, juristi thekson se propozimi i VV-së për një president konsensual nuk gjen besimin e opozitës, prandaj mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje politike mbeten shumë të vogla.
“Tani VV po thotë se duhet të ketë një president konsensual, por opozita nuk beson se ai do të ishte vërtet i pavarur, pasi mendohet se më vonë do të bëhej politikisht i varur nga VV-ja. Prandaj, gjasat që të arrihet një marrëveshje normale politike janë shumë të vogla”, foli juristi Burjani për “Bota sot”.
Qarri: PDK pa gatishmëri për bashkëpunim me VV-në, ndërsa pritjet nga Gjykata Speciale nuk po sjellin ndryshim të qëndrimeve Ndërsa, analisti politik Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se përçarjet dhe problemet e brendshme në partitë opozitare, sidomos në LDK, e bëjnë të vështirë arritjen e një qëndrimi të përbashkët për koalicion me VV-në dhe krijimin e institucioneve, ndërsa edhe një marrëveshje e mundshme do të ishte e paqëndrueshme.
Gani Qarri “Fakti se brenda partive opozitare, pas zgjedhjeve të 7 qershorit, po shfaqen më shumë se një qëndrim për marrëveshje të mundshme politike ose koalicion me VV-në, si dhe problemet e brendshme në të dy partitë kryesore opozitare PDK e veçanërisht në LDK, ku tanimë 4 degë nga më të rëndësishmet, për shkak të rezultatit të dobët zgjedhor dhe dështimeve të njëpasnjëshme në zgjedhjet parlamentare, kanë kërkuar publikisht edhe dorëheqjen e Abdixhikut nga kryesimi i LDK-së, flet më së miri për vështirësitë dhe mosbesueshmërinë, sidomos te LDK, se ajo mund të jetë unike në qëndrimin, për të hyrë në koalicion me partinë fituese, votimin e presidentit/es të shtetit dhe krijimin e institucioneve të vendit.
Nuk ishte rastësi as akt i papritur që dega e LDK-s në Pejë, ajo në Lipjan, Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë, dhe Dega LDK-së në Rahovec pas analizave të detajuara në nivel lokal e atë qendror, të rezultateve të dobëta dhe dështimeve të njëpasnjëshme përfshi edhe votimet nacionale të 7 qershorit ku LDK përkundër bashkimit me ish presidenten Vjosa Osmani nuk fitoi pothuajse asgjë, nëse nuk shpallen urgjentisht zgjedhjet e përgjithshme dhe nuk bëhet menjëherë ndryshimi i lidershipit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ekziston rreziku i margjinalizimit politik edhe të partisë, andaj përveç kërkesës për zgjedhje të brendshme në parti, po kërkohet edhe dorëheqja e parevokueshme të Lumir Abdixhikut, gjë që e bënë edhe më problematik bashkëpunimin e VV-së me këtë parti, ngase rënia e koalicionit pothuajse është plotësisht e sigurt, në pyetje është vetëm koha- e prishjes së tij”, thekson analisti.
Duke vazhduar tutje ai se, megjithëse pritet të nisin bisedimet për krijimin e institucioneve, përçarjet dhe kushtëzimet brenda LDK-së dhe PDK-së e bëjnë situatën politike shumë të ndërlikuar dhe zvogëlojnë gjasat për një marrëveshje me VV-në.
“Kështu që me-gjithë deklaratën e ministres në detyrë të Tregtisë, Mimoza Kusari- Lila, se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, pritet të fillojë komunikimi zyrtar ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive të tjera politike në lidhje me krijimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, gjendja aktuale brenda LDK-së, parti me të cilën edhe kësaj radhe kryeministri dhe VV-preferonin krijimin e koalicionit qeverisës, bënë që asgjë të mos jet e sigurt.
Mospajtime ka edhe në PDK, e madje aty pengesë nuk mbetet më vetëm mungesa e gatishmërisë për bashkëpunim si vitin e kaluar por ka edhe kundërshtime, të shprehura hapur nga gangsteri Sami Lushtaku, apo kryetari faktik i PDK-së, kundër koalicionit me VV-në, andaj ashtu siç shprehet edhe zonja Kusari Lila situata politike pas zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë është pothuajse edhe më e komplikuar sesa në proceset e kaluara, derisa brenda partive opozitare, po shfaqen probleme gati të patejkalueshme dhe për kamuflimin e pamundësisë për të marrë vendime unike për bashkëpunim me pozitën, ato po shprehin nga disa qëndrime dhe vendosin kushte vështirë të pranueshme për marrëveshje të mundshme politike me partinë fituese”, shpjegoi analisti.
Më tej, Qarri thotë se humbja e LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit edhe në bastionet e saj ka thelluar krizën e brendshme dhe ka rihapur kërkesat për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut, ndërsa kjo situatë e përçarjes në opozitë po ndikon drejtpërdrejt në vështirësimin e marrëveshjeve me VV-në dhe rrezikon edhe krijimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit në Kuvend.
“Fakti se LDK në zgjedhjet e 7 qershorit edhe në komunat që tash e sa vite, qeveriste vet, ka dështuar të jetë e para, madje ka rënë edhe në vendin e tretët, ka rihapur serish një debat edhe më të ashpër të brendshëm, për përgjegjësinë e lidershipit të partisë dhe dorëheqjen e kryetarit aktual të sajë, pasi që përkundër koalicionit parazgjedhor me Vjosa Osmanin, Lidhja Demokratike e Kosovës as në këto zgjedhje nuk arriti të renditet më lartë se partia e tretë me vetëm 16,69% të votave, gjë që shkaktoj dhe përsëritjen e kërkesave publike për dorëheqjen e parevokueshme të Abdixhikut, jashtë kuvendeve të inskenuara dhe sa më larg marrëveshjeve të kurdisura konspirative, me sejmenët e tij si Kujtim Shala, Lutfi Haziri, parashutistja Doarsa Kica etj, të cilëve, me shkuarjen e kryetarit aktual, u rrezikohet edhe humbja e pozitave udhëheqëse, pasi që vetëm me Abdixhikun si të par të partisë, i kishin vendet e garantuara në kryesinë e LDK-së.
Problemet aktuale brenda partive në opozitë, mjerisht nuk janë të lokalizuara vetëm brenda segmenteve të tyre politike, por e keqja e gjithë kësaj është se përçarjet e theksuara brenda partive opozitare, reflektojnë direkt edhe në raport me mundësinë për marrëveshje ndërpartiake dhe formim të institucioneve shtetërore me partinë fituese, të cilat vejnë në pikëpyetje edhe mundësinë e krijimit të kuorumit në Kuvend për zgjedhjen e presidentit të vendit”, foli Qarri.
Në fund, ai përfundoi se në PDK mungon gatishmëria për bashkëpunim me VV-në, ndërsa pritjet e lidhura me Gjykatën Speciale kanë humbur efektin, kurse në LDK kriza dhe përçarjet e brendshme po e rrisin pasigurinë për koalicione dhe për stabilitet politik në vend.
“Sa i takon PDK-së, përveç mungesës së gatishmërisë për të bashkëpunuar me partinë fituese, nga idealistët brenda saj, spekulohej se Gjykata Speciale në Hagë, me 20 korrik mund të sillte vendim lirues, për të akuzuarit apo ndonjërin prej tyre dhe shprehnin pretendimet publikisht, për çuarjen e vendit, përsëri në zgjedhje të parakohshme, me shpresën se do të fitonin më shumë vota.
Mirëpo duke qenë se Dhomat e Specializuara në Hagë shtyn marrjen e vendimit gjyqësor deri më 16 shtator, le të shpresojmë për zbutje qëndrimi dhe ndryshim edhe në kushtet e PDK-së, ndërsa me LDK-në, aktualisht vazhdon pikëpyetja e madhe, se çfarë vërtetë mund të ndodhë në javët dhe muajt e ardhshëm me këtë subjekt politik, derisa në mbledhjen e fundit të LDK-së, nuk mori pjesë as dega e LDK-së në Prizren, gjë që paralajmëron thellimin e krizës dhe shtrirjen e pakënaqësive edhe në degët tjera gjithandej vendit, zhvillim që megjithëse zbehë gjasat, nuk shuan tërësisht shpresat për koalicion të mundshëm me VV-në, nga frika e lidershipit të LDK-së për shkuarje serish në “plebishit” qytetar dhe humbja edhe më e thellë e LDK-së në zgjedhjet e reja të parakohshme”, përfundoi Qarri për “Bota sot”.
