Një pjesë e shërbimeve për grumbullimin, transportin dhe deponimin e mbeturinave në Komunën e Prishtinës është realizuar nga një operator ekonomik që nuk kishte kontratë me komunën dhe nuk ishte miratuar si nënkontraktor. Kështu ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e performancës për vitin 2025.
Sipas auditorëve, bëhet fjalë për dy pagesa në vlerë totale prej 261 mijë e 269 eurosh, të kryera në kuadër të kontratës për “Ofrimin e shërbimit të grumbullimit, transportit dhe deponimit të mbeturinave – Lot 2”.
Gjatë shqyrtimit të dokumentacionit mbështetës të pagesave, përkatësisht faturave të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), auditorët kanë identifikuar se një pjesë e mbeturinave ishte grumbulluar dhe deponuar nga një operator ekonomik që nuk figuronte në kontratën e nënshkruar me Komunën e Prishtinës.
Sipas ZKA-së, për këtë operator nuk kishte marrëveshje të nënkontraktimit dhe as njoftim paraprak apo miratim nga autoriteti kontraktues, siç kërkohet me Ligjin për Prokurimin Publik dhe me vetë kontratën. Auditorët vlerësojnë se kjo situatë ka ardhur si pasojë e mungesës së kontrollit dhe monitorimit adekuat nga menaxheri i kontratës gjatë zbatimit të saj.
Në raport thuhet se angazhimi i operatorëve ekonomikë të paautorizuar rrit rrezikun e shkeljes së kushteve kontraktuale dhe legjislacionit për prokurimin publik, ul llogaridhënien dhe e vështirëson monitorimin e cilësisë së shërbimeve dhe përgjegjësive të operatorëve të angazhuar.
“Kryetari duhet të sigurojë që menaxherët e kontratave të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme zbatimin e kontratave publike, duke verifikuar që shërbimet të ofrohen vetëm nga operatorët ekonomik të kontraktuar ose nga nënkontraktorët e aprovuar paraprakisht, në përputhje me dispozitat e legjislacionit për prokurimin publik”- thuhet në raport.
Menaxhmenti i Komunës së Prishtinës është pajtuar me këtë rekomandim të auditorëve. Kjo komunë ka pranuar opinion të kualifikuar nga Auditori. ZKA jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet. Ky raport i ZKA-së për komunën ka rezultuar me 25 rekomandime.
Prej tyre, 14 janë rekomandime të përsëritura, 3 pjesërisht të zbatuara, 8 janë rekomandime të reja, ndërsa dy rekomandime janë zgjidhur gjatë procesit të auditimit. Në raportin e auditimit në vitin 2024, Komuna e Prishtinës kishte marrë 27 rekomandime. Raportin e plotë mund ta lexoni në KËTU .
