Ish-eprori dhe luftëtari i UÇK-së dhe TMK-së, Naim Miftari në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për paraqitjen e Milan Radoiçiqit dhe e të ashtuquajturve “Mjekrra Kuqe” në protestën në mbështetje të pushtetit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Miftari ka deklaruar se ky zhvillim vetëm sa e forcon një narrativë të njohur tashmë ndërkombëtarisht.
“Paraqitja e Radoiçiqit dhe “Mjekrra Kuqeve” në protestën e mbrojtjes së pushtetit të Aleksandar Vuçiqit, si dhe prononcimi i Vuçiqit për terroristin Milan Radoiçiç, vetëm e konfirmon faktin që e di e gjithë bota: se Radoiçiqi është vetëm një vegël e Vuçiqit dhe Vulinit.
Interesant është fakti se kur ndodhi sulmi në Banjskë, Vuçiq kishte udhëtuar për OKB në Nju Jork të Amerikës, që të ishte larg Kosovës në momentin kur do të ndodhte marrja e veriut të Kosovës nga ana e terroristëve serbë.
Interesant është edhe fakti se për këtë plan dyshohet se ishte korruptuar edhe një komandant me stafin e tij, i cili kishte nën komandë qindra ushtarë në veriun e Kosovës dhe ishte pjesë e një strukture ushtarake të një shteti anëtar të NATO-s. Operacionin në hije e udhëhiqte Aleksandar Vulin, i cili i raportonte çdo orë shefit të tij, A. Vuçiq”, ka thënë ai.
Naim Miftari Gjithashtu, ai ka vlerësuar se qasja e institucioneve në veri të Kosovës ka ndryshuar dukshëm krahasuar me të kaluarën, duke theksuar se sot shteti vepron me më shumë vendosmëri dhe kontroll në terren. “Por, llogaritë i bënë gabim.
Qeveria e Kosovës, kryeministri Kurti dhe policia e Kosovës nuk ishin si në të kaluarën, kur Hashim Thaçi kishte dërguar policinë në veri për sundim të ligjit, ndërsa në prapaskenë përgatitej ndarja e veriut me Serbinë. Pas vrasjes së Enver Zymberit dhe plagosjes së shumë policëve të Kosovës, shteti i Kosovës ishte tërhequr nga veriu me turp.
Në rastin e Banjskës, Thaçi ndodhej në burg, ndërsa qeveria e Kosovës me Albin Kurtin kishte vendosur seriozisht që asnjë pëllëmbë e Kosovës të mos sundohet apo kontrollohet nga bandat e Beogradit, bandat e drogës dhe të kontrabandës”, ka shtuar ai.
Ne fund, Miftari ka theksuar rolin e institucioneve aktuale të Kosovës dhe faktorëve ndërkombëtarë në zhvillimet e sigurisë në veri të Kosovës. “Kosova kishte zot shtëpie dhe djem që e mbrojnë shtetin e Kosovës. Kosova kishte fat që Franca kishte tërhequr ushtrinë e saj pro-serbe nga veriu i Kosovës. Po ashtu, fat tjetër ishte që një agjent francez i DGSE-së ishte në burg në Hagë.
Dhe fat ishte që tani kishim kryeministër Albin Kurtin, presidenten Vjosa Osmani dhe ministrin e MPB-së Xhelal Sveçla. Kosova ishte me fat”, ka përfunduar Miftari për “Bota sot”.
