Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka zhvilluar një inspektim të jashtëzakonshëm në një subjekt që merret me përpunimin e qumështit dhe prodhimin e produkteve të qumështit, me qëllim verifikimin e përputhshmërisë së aktivitetit me legjislacionin në fuqi dhe standardet e sigurisë ushqimore.
Sipas AUV-së, gjatë inspektimit janë marrë mostra të qumështit UHT me afat të gjatë përdorimi, si dhe mostra të qumështit pluhur dhe vajit të palmës, të cilat janë dërguar për analiza laboratorike. Agjencia bën të ditur se, pas verifikimit të dokumentacionit, kontrollit fizik të objektit dhe inspektimit të linjave të prodhimit, janë konstatuar mospërputhje me legjislacionin në fuqi.
Sipas njoftimit, operatori ushtron veprimtari të përpunimit të qumështit në bazë të autorizimit përkatës, ndërsa në objekt janë instaluar edhe linja për prodhimin e produkteve me origjinë shtazore dhe me bazë qumështi, duke përdorur qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera ndihmëse.
Po ashtu, gjatë kontrollit është konstatuar se subjekti disponon sasi të konsiderueshme të lëndëve të para dhe produkteve, përfshirë qumësht UHT, qumësht pluhur, proteina qumështi, hirrë qumështi dhe vaj palme.
AUV thekson se është konstatuar gjithashtu se subjekti nuk posedon autorizim të veçantë për prodhimin dhe përpunimin e produkteve me bazë yndyrash bimore dhe proteinash qumështi për qëllimet e deklaruara në etiketim, ndërsa disa elemente të procesit do t’i nënshtrohen vlerësimeve të mëtejshme nga autoritetet kompetente.
Agjencia sqaron se në këtë fazë nuk është marrë asnjë vendim për mbylljen e subjektit. Sipas saj, inspektimi ka përfshirë vetëm verifikimin e dokumentacionit dhe marrjen e mostrave, ndërsa konstatimet përfundimtare do të nxirren pas përfundimit të analizave laboratorike dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Pas përfundimit të procedurës inspektuese, subjektit i është lënë vendim për zbatimin e kërkesave të legjislacionit dhe udhëzimeve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për prodhimin dhe tregtimin e produkteve ushqimore.
AUV ka ritheksuar se mbrojtja e shëndetit publik dhe siguria ushqimore mbeten prioritet institucional, ndërsa rezultatet laboratorike do të përcaktojnë hapat e mëtejmë administrativë dhe ligjorë.
