Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vlerësuar rolin historik të gazetës “Rilindja” , duke e cilësuar atë si një ndër institucionet më të rëndësishme në emancipimin shoqëror, kultivimin e gjuhës shqipe dhe ndërtimin e vetëdijes kombëtare.
Përmes një postimi, Kurti bëri të ditur se, me rastin e 36-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, ka pritur në një takim ish-gazetarë, redaktorë dhe autorë librash të “Rilindjes”, për të kujtuar kontributin e kësaj gazete dhe shtëpie botuese.
Sipas tij, numrat e gazetës “Rilindja”, të botuar përgjatë katër dekadave e gjysmë, përbëjnë një arkivë të çmuar të historiografisë së Kosovës. “Gazeta e përditshme Rilindja , me numrat e saj përgjatë katër dekadave e gjysmë, është arkivë e çmuar e historiografisë sonë.
Bashkë me Universitetin e Prishtinës dhe Akademinë e Shkencave dhe të Arteve, ajo pati rol qendror në emancipimin shoqëror dhe kultivimin e shqipes së shkruar”, ka shkruar Kurti. Ai theksoi se “Rilindja” nuk kishte vetëm mision informues, por ishte edhe një referencë profesionale dhe kombëtare që, sipas tij, i ka mbijetuar kohës.
“Përtej informimit, botimet e saj ishin vetëdije profesionale e kombëtare dhe referencë që i mbijeton kohës”, u shpreh ai.
Në takimin e organizuar me këtë rast morën pjesë Binak Kelmendi, Ibrahim Kadriu, Evliana Berani, Dush Gashi, Mehmet Gjata dhe Emine Berisha, ish-gazetarë, redaktorë dhe autorë librash të “Rilindjes”, me të cilët, sipas Kurtit, u diskutua për rëndësinë e raportimit dhe mbulimit të ngjarjeve historike./Telegrafi.
