​OEK dhe Riinvest: Kosova të përfshihet në rrjetin rajonal të gazit

0%

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest kanë kërkuar përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit natyror dhe rishikimin e Strategjisë së Energjisë, duke i cilësuar këto si hapa të domosdoshëm për forcimin e sigurisë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Këto rekomandime u prezantuan në debatin “Gazi si burim i energjisë: Gjendja aktuale dhe perspektiva”, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve, komunitetit të biznesit, ekspertë, akademikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Sipas pjesëmarrësve, Kosova duhet të ndërmarrë masa konkrete për të siguruar furnizim të qëndrueshëm, të përballueshëm dhe afatgjatë me energji, përmes diversifikimit të burimeve energjetike dhe uljes së varësisë nga importi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në debat u theksua se mungesa e investimeve në kapacitete të reja energjetike ndër vite ka ndikuar në rritjen e kostove të energjisë për bizneset dhe qytetarët, duke dobësuar konkurrueshmërinë e ekonomisë së vendit. Pjesëmarrësit vlerësuan se gazi natyror paraqet një alternativë strategjike për rritjen e sigurisë energjetike dhe stabilitetit të sistemit energjetik.

Ata kërkuan që Kosova të lidhet me rrjetin rajonal të gazit përmes terminalit LNG të Alexandroupolis, nëpërmjet interkonektorit SKOPRI, si dhe me terminalin e planifikuar në Vlorë përmes projektit ALKOGAP, me qëllim diversifikimin e burimeve dhe rrugëve të furnizimit.

Në përfundim të debatit, OEK dhe Riinvest rekomanduan që Qeveria e Kosovës të angazhohet me prioritet për përfshirjen e vendit në rrjetin rajonal të gazsjellësit dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme nga Hani i Elezit, në mënyrë që gazi natyror të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike, industrinë dhe sistemet e ngrohjes.

Po ashtu, u kërkua rishikimi i Strategjisë së Energjisë, duke përfshirë zhvillimin e infrastrukturës së gazit, ndërlidhjen me terminalin e Vlorës, si dhe shqyrtimin e mundësisë së gazifikimit të linjitit me infrastrukturë të përshtatshme edhe për transportin e hidrogjenit të gjelbër në të ardhmen.

Ndër rekomandimet kryesore ishin edhe përshpejtimi i zhvillimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, në përputhje me objektivat e Agjendës së Gjelbër të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, si dhe thellimi i bashkëpunimit energjetik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për optimizimin e sistemeve energjetike dhe investime të përbashkëta në kapacitete të reja prodhuese.

OEK dhe Riinvest ritheksuan se zhvillimi i infrastrukturës së gazit, diversifikimi i burimeve energjetike dhe bashkëpunimi rajonal janë parakushte për forcimin e sigurisë energjetike, rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e ftojnë Kosovën që t’u bashkohet projekteve rajonale të gazit natyror të lëngshëm (LNG), duke argumentuar se siguria energjetike është thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Në një intervistë për KosovaPress, zyrtari për çështje ekonomike në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Micah Savidge, ka thënë se Kosova rrezikon të humbasë mundësi të rëndësishme investimi, nëse nuk siguron furnizim të qëndrueshëm me energji.

Burimi: Bota Sot