Shpërndaje në: Avokati Skender Musa ka thënë se ka qenë i pritshëm vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për shtyrje të aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim nën dyshime për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Sipas tij, mund të ketë sërish shtyrje për shkak të vëllimit të madh të materialit për t’u lexuar nga trupi gjykues.
“E kam pritur që do të ketë shtyrje të shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara dhe mendoj se është rrezik të shtyhet prapë për shkak se kemi mbi 100 dëshmitarë dhe kemi 29 mijë e 230 faqe dhe është e pamundur të lexohet ai material sepse trupi gjykues përveç se ta lexojë, është i obliguar ta shohë edhe besueshmërinë e tyre”, ka thënë ai të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.
Musa ka vlerësuar se Prokuroria në Hagë dëshiron me çdo kusht që të akuzuarit të shpallen fajtorë andaj edhe e ka rënduar procesin me materiale mbi 29 mijë faqe.
“Siç duket prokurori që e ka ngritur aktakuzën ka dashur me çdo kusht të ngrejë aktakuzë dhe t’i shpallë fajtorë katër të akuzuarit dhe i ka tubuar të gjitha shkresat që janë deponuar nga kushdo qoftë dhe ia ka dorëzuar gjykatësit, e ka rënduar procesin dhe është zor të shihet drejtësi me gjithë këtë material, me 29 mijë faqe material.
Jam i bindur se edhe kur janë gjykuar nazistët nuk ka pasur material 29 mijë faqe, për krimet që janë kryer në Bosnjë-Hercegovinë nuk kemi lexuar asnjëherë që ka pasur numër kaq të madh të materialit. Mirëpo, kur nuk ka prova materiale të besueshme e të parrëzueshme, zakonisht prokurorët tubojnë letra, bazohen në spekulime”, ka thënë ai.
Sipas avokatit Musa, është praktikë që prokurorët të propozojnë masa shumë të rënda kur janë të pakënaqur me provat dhe dëshmitarët.
