Raúl Rangel është kthyer në një nga figurat më të spikatura të Kupës së Botës 2026. Portieri i Meksikës ka qenë vendimtar në rrugëtimin e kombëtares së tij, e cila do të përballet me Anglinë në raundin e 16-të. Meksika, së bashku me Spanjën, është e vetmja kombëtare në turne që ende nuk ka pësuar gol.
Rangel ka luajtur katër ndeshje dhe ka regjistruar 348 minuta pa e nxjerrë topin nga rrjeta, më shumë se çdo portier tjetër në këtë edicion. Portieri i Chivas është zëvendësuar vetëm një herë, në minutën e 78-të të fitores 3-0 ndaj Republikës Çeke, kur trajneri Javier Aguirre i dha disa minuta edhe Guillermo Ochoas në Kupën e tij të gjashtë të Botës.
Rekord historik për Meksikën Me 348 minuta pa gol të pësuar, Rangel ka kaluar Ignacio Calderónin, i cili kishte regjistruar 283 minuta në vitin 1970, si dhe Pablo Lariosin me 276 minuta në vitin 1986. Ai tashmë është portieri meksikan me serinë më të gjatë pa pësuar gol në historinë e Kupave të Botës.
Sipas të dhënave të Footmob, Rangel është gjithashtu portieri që ka parandaluar më shumë gola të pritshëm në turne, me 1.70 xG të ndalur. Rangel është bërë edhe portieri i shtatë në histori që ruan portën e paprekur në katër ndeshjet e para të tij në një Kupë Bote. Para tij, këtë e kishin arritur Gilmar, Gordon Banks, Emerson Leao, Carlos, Walter Zenga dhe Pascal Zuberbühler.
“Jemi të destinuar për gjëra të mëdha”, kishte deklaruar Rangel pas fitores 1-0 ndaj Koresë së Jugut. Ai theksoi se është rritur në çdo ndeshje dhe ka qenë i gatshëm të reagojë sa herë që skuadra ka pasur nevojë për të. Besimi i Aguirres Përzgjedhësi Javier Aguirre ka folur me vlerësim për portierin e tij, duke theksuar se Rangel ka fituar përvojë dhe qetësi gjatë këtij turneu.
Sipas Aguirres, portieri kishte disa momente pasigurie në ndeshjen ndaj Afrikës së Jugut, por reagoi shumë mirë në përballjen kundër Koresë së Jugut, duke bërë pritjet e nevojshme në momentet më të rëndësishme. Nga puna e rëndë te skena më e madhe e futbollit Historia e Rangelit është po aq e fortë sa paraqitjet e tij në fushë.
Para se të bëhej portier i Meksikës në Kupën e Botës, ai punoi në disa profesione për të ndihmuar familjen e tij. Ai ka shitur karamele, ka larë makina, ka shpërndarë mish dhe bukë, ndërsa një nga punët më të vështira ishte puna në prodhimin e tullave. Familjarët e tij kanë treguar se ai nisej herët në mëngjes dhe kthehej në shtëpi i mbuluar me baltë, pas orëve të gjata të punës.
Sot, pas një rruge të gjatë me sakrifica, Raúl Rangel është kthyer në “murin” e Meksikës. Tani ai synon të zgjasë serinë e tij pa gol të pësuar edhe ndaj Anglisë, në një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij. /Telegrafi
