Musa: Vrasjet në Kosovë po shtohen, nevojitet strategji për t’i

0%

Shpërndaje në: Avokati Skender Musa ka vlerësuar se numri i vrasjeve në Kosovë është shtuar viteve të fundit për shkak të disa faktorëve që kanë bërë njerëzit, siç ka thënë ai, më agresivë. Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Musa ka thënë se kriza ekonomike, papunësia e problemet pronësore janë disa nga çështjet që i çojnë njerëzit drejt kryerjes së veprës penale.

“Vendimet gjyqësore nuk edukojnë. Është shtuar numri i vrasjeve, populli është bërë më agresiv në përgjithësi në të gjitha komunat dhe këtu nevojitet një strategji. E bën të veten edhe kriza ekonomike edhe papunësia, problemet pronësore, shumë çështje civile e bëjnë personin të kryejë veprën penale”, ka thënë ai.

Derisa ka folur për rastin e fundit të tentimvrasjes në Podujevë, Musa ka thënë se ndonëse ligjet në Kosovë janë të bazuara në ato të Bashkimit Evropian, mentaliteti i kryerësve të veprave dallon.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Te ne nuk planifikohen vrasjet siç ndodh në Bashkimin Evropian e në vendet e zhvilluara ku planifikohet vrasja, dihet motivi por këtu ndodhin vrasjet në këtë formë, janë duke pirë kafe, shtyhen diçka, shkon inati në kulm dhe zgjidhjen e gjejnë me armë apo duke u rrahur, kjo është një traditë e veçantë e jona, por qeveria e institucionet tona duhet të ndërmarrin diçka për ta ndërruar këtë mentalitet”, ka thënë ai.

Musa e ka cilësuar si të guximshëm dhe profesional reagimin e policit civil në vendin e ngjarjes, duke thënë se ndërhyrja e tij ka shpëtuar jetë njerëzish. “Ende as Prokuroria e as Policia nuk mund t’i japin detajet dhe motivet, mirëpo reagimi i policit ka qenë jashtëzakonisht i guximshëm dhe profesional. Është fat i madh që ka qëlluar aty.

Siç e kuptova në bazë të mjeteve të informimit, mendohet se janë gjetur dy apo tri armë, që lë të kuptohet se nuk ka qenë vetëm një person i armatosur në këtë rrahje që ka përfunduar me vrasje në tentativë. Padyshim se ndërhyrja e hetuesit ka shpëtuar jetën e njerëzve sot”, ka thënë ai.

Të paktën katër persona janë plagosur nga të shtënat në qendër të Podujevës të enjten pasdite, përfshirë një kalimtar rasti. Personat e përfshirë në këtë përleshje me armë kanë lidhje familjare mes vete.

Burimi: Koha