“Do të ishte budallallëk që opozita të…”, Spahiu flet për

0%

Më 6 korrik pritet të certifikohen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke i hapur rrugë procesit për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë të ditur se partia e tij nuk do të nisë bisedimet me subjektet politike për koalicion qeverisës apo çështje të tjera politike para certifikimit të rezultateve.

“Së pari duhet ta presim certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve dhe trajtimin e ankesave, e pastaj, pa humbur kohë, do t’i kemi komunikimet dhe diskutimet e nevojshme”, ka deklaruar Kurti. Ndërkohë, partitë opozitare kanë bërë të ditura qëndrimet e tyre lidhur me mundësinë e një marrëveshjeje politike, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit të vendit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se LDK-ja mund t’i unifikojë votat e 18 deputetëve të saj vetëm nëse posti i presidentit i takon kësaj partie. Sipas tij, kandidati duhet të vijë nga radhët e LDK-së. “Në rast se ky emër është Lumiri (Abdixhiku) ose emri im, atëherë mund të unifikohemi.

Lumirit i bie të jetë i pari sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh brenda LDK-së kam unë ”, ka thënë Haziri. Ai ka shtuar se aktualisht ekziston vetëm një adresë zyrtare për negociata me LDK-në. “Vetëm me Lumir Abdixhikun. Ai është kryetar. Deri atëherë është vetëm një adresë dhe nuk ka adresë të dytë”, është shprehur Haziri.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka paraqitur gjashtë kushte që, sipas saj, duhet të pranohen nga Lëvizja Vetëvendosje nëse kërkon mbështetjen e kësaj partie për krijimin e institucioneve të reja.

Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka theksuar se partia e tij nuk synon të bëhet pjesë e qeverisë, por është e gatshme të kontribuojë në zhbllokimin e situatës politike vetëm nëse arrihet një marrëveshje e shkruar mbi prioritetet kryesore për vendin. “Nuk do ta bëjmë vetëm pse një person po kërkon të bëhet kryeministër apo president.

Do ta bëjmë vetëm nëse ka një zotim të pastër, të shkruar, për këto që i thash ë”, ka deklaruar Gjini. Sipas AAK-së, kushtet përfshijnë pranimin e projektit të gazit amerikan si projekt strategjik, nisjen e procedurave për ndërtimin e një termocentrali me qymyr, rritjen e pragut të TVSH-së për bizneset, heqjen e tatimit mbi pronën për tokën bujqësore të punuar, financimin e projekteve infrastrukturore të pezulluara dhe krijimin e një fondi emergjent prej 800 milionë deri në 1 miliard euro për investime në Prishtinë.

Gjini ka bërë të ditur se AAK-ja nuk e ka vendosur si kusht kandidimin e Ramush Haradinajt për president, ndonëse, sipas tij, ai do të ishte kandidati më i mirë për këtë post. “Nëse ka nevojë për kuorum, do ta bëjmë kuorumin. Nuk kërkojmë asgjë. Nëse Ramush Haradinaj do të kandidonte për president, kjo nuk do ta ndryshonte formulën tonë.

Do të ishte nder, por nuk duam ta bllokojmë vendin ”, ka deklaruar ai. Në prag të certifikimit të rezultateve, mbetet e paqartë nëse vendi do të shkojë drejt një koalicioni qeverisës apo nëse Lëvizja Vetëvendosje do të tentojë formimin e qeverisë me mbështetje të deputetëve individualë.

Lidhur me këtë, analisti politik Nexhmedin Spahiu për “Bota sot” vlerëson se nuk ka nevojë për një koalicion formal qeverisës. Nexhmedin Spahiu “Nuk ka arsye për koalicion. Albin Kurti i ka numrat e nevojshëm për ta formuar qeverinë. Do të ishte budallallëk që partitë e tjera të ofronin koalicion qeverisës.

Ministrat e tyre mund të shkarkoheshin nga Kurti sapo të zgjidhej presidenti, ose më pas do të përfundonin duke iu bashkuar Vetëvendosjes”, ka deklaruar Spahiu për “Bota sot”.

Theksojmë, se në zgjedhjet e 7 qershorit partia e parë ka dal Lëvizja Vetëvendosje në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa, me 47.13% që ka fituar 53 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës me 19.44%, ka fituar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës me 16.69% ka fituar 18 ulëse dhe Aleanca më 6.74% ka fituar shtatë ulëse.

Burimi: Bota Sot