Shpërndaje në: Në një situatë të jashtëzakonshme të shtetrrethimit 36 vjet më parë, 114 delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, u mblodhën para ndërtesës së bllokuar të Kuvendit në Prishtinë, për të shpallur Deklaratën Kushtetuese – një akt historik që shënoi nisjen e rrugës për shtetësinë e Kosovës.
Pas suprimimit të autonomisë më nga Serbia, situata në Kosovë u përkeqësua ndjeshëm. Delegatët shqiptarë të Kuvendit filluan të përballeshin me presione të mëdha për të miratuar ligje që e fusnin Kosovën nën kontroll të plotë të Beogradit.
Në këtë klimë represioni, u hodh ideja për një Deklaratë Kushtetuese, si hap i parë drejt krijimit të një kuadri të ri politik për Kosovën si njësi federale në ish-Jugosllavi. Edhe pse tentativa për mbajtjen e seancës u pengua me mbylljen fizike të Kuvendit, delegatët, të mbështetur nga qytetarët, zhvilluan mbledhjen në platonë para objektit.
Pesë pikat e Deklaratës Deklarata Kushtetuese përmbante pesë pika. “Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë”, thuhej në pikën 1.
“Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar”, vijonte pika 2.
E treta theksonte se kuvendi, Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
“Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente”, shkruante në pikën 4.
“Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë” ishte përfundimi i deklaratës.
Pas Deklaratës Kushtetuese, vetëm dy muaj më vonë, u miratua edhe Kushtetuta e Kaçanikut, një tjetër hap drejt krijimit të një strukture juridike të Kosovës. Pas kësaj, filluan përndjekjet, arrestimet dhe shpërnguljet e delegatëve.
