BE-ja do të ridrejtojë fondet e reformave të Ballkanit Perëndimor drejt vendeve “kryesore” për anëtarësim, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, pasi vendet e tjera po kanë telashe që t’i përmbushin afatet e reformave, ka raportuar të enjten () në një shkrim ekskluziv Euronews .
Komisioni Europian është i vendosur t’i rishpërndajë fondet në kuadër të mjetit të hartuar për t’i nxitur financiarisht vendet e Ballkanit Perëndimor për kryerjen e reformave të kërkuara për anëtarësim në BE në favor të vendeve “kryesuese”, kanë deklaruar dy zyrtarë të BE-së për Euronewsin.
Instrumenti i BE-së për Reformë dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor u themelua më 2024 për t’u ofruar vendeve kandidate në rajon mbështetje financiare të lidhur me kushte strikte, kryesisht zbatimin e reformave të nevojshme për anëtarësim në bllokun europian.
Mjeti përfshin periudhën 2024-2027, me ambicien e dyfishimit të rritjes së ekonomive të Ballkanit Perëndimor brenda dhjetëvjeçarit të ardhshëm. Megjithatë, sipas të dhënave të vetë Komisionit, vetëm rreth 673 milionë euro janë ndarë në kuadër të këtij instrumenti, nga 6 miliardë euro në dispozicion. Pothuajse i gjithë ky financim ka shkuar vetëm për tri nga gjashtë vendet kandidate.
Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë më të avancuarat në procesin e pranimit, falë agjendave të tyre të reformave të brendshme. Bosnjë-Hercegovina, Kosova dhe Serbia, krejt ndryshe, konsiderohet përgjithësisht se kanë ngecur.
Instrumenti kërkon që reformat të përfundojnë brenda afateve të dakordësuara – nëse huqet njëri afat, Komisioni mund të mbajë një hise ose të gjitha fondet që korrespondojnë me atë kusht. Përfituesit kanë një vit që t’i përmbushin kushtet para se fondet të rialokohen, përveç vitit të parë kur afati zgjatet në dy vjet. Kjo do të thotë se fundi i qershorit ishte afati i parë i tillë.
“Siç nënvizon rregullorja, aty ku hapat e reformës nuk janë përmbushur dhe kanë skaduar gjatë periudhës shtesë, fondet përkatëse mund të rishpërndahen midis përfituesve të tjerë”, ka deklaruar një zëdhënës i Komisionit Europian për televizionin Euronews.
“Sa u përket hapave që duhej të ndërmerreshin deri më , Komisioni tani do të bëjë një vlerësim gjithëpërfshirës dhe objektiv për të gjithë përfituesit”, ka shtuar zëdhënësi. Me fjalë të tjera, Komisioni është i vendosur të rishpërndajë paratë e pashpenzuara për vendet që gjykohen se po shënojnë përparimin më të madh në reforma.
Këto vende janë Mali i Zi dhe Shqipëria, të ashtuquajturit kandidatë kryesorë, dhe Maqedonia e Veriut, që njashtu ka histori të mirë reformash.
Humbësja më e madhe pritet të jetë Bosnjë-Hercegovina, së cilës nuk i është ndarë asnjë cent nga ky instrument deri më tani, pasi ka dështuar të zbatojë ndonjë nga reformat e kërkuara – kryesisht për sherri i strukturës së saj të ndërlikuar institucionale. Kosova dhe Serbia gjithashtu pritet të jenë në disavantazh, edhe pse tashmë kanë marrë disa disbursime.
Kjo situatë u certifikua tashmë në prill, kur Komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, u shkroi të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke i nxitur t’i përshpejtojnë reformat, ose ndryshe rrezikojnë t’i humbin paratë e ofruara nga instrumenti.
Zyrtarët e BE-së theksojnë se ky instrument ofron financim nxitës: Komisioni nuk po i tërheq paratë, thonë ata, pasi vendet nuk kishin kurrë të drejtën për to nëse nuk i zbatojnë reformat e kërkuara. “Është si të punosh me orë”, ka thënë një zyrtar i BE-së, duke kërkuar të mbetet anonim. “Ju paguheni vetëm për punën që bëni në të vërtetë”.
Komisioni pritet t’u japë shteteve anëtare më shumë detaje mbi këtë çështje më vonë këtë muaj, përfshirë edhe se çfarë shumash të fondeve do të rialokohen.
Mundësi të tjera të mundshme përfshijnë ndarjen e parave shtesë barabarësisht midis të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor për asistencë teknike, transferimin e parave në vendet e tjera kandidate jashtë rajonit, ose edhe kthimin e parave përsëri në buxhetin e BE-së.
“Reformat duhet të mbeten prioritet për përfituesit, me qëllim që të shfrytëzojnë sa më shumë atë çfarë ofron Plani i Rritjes Ekonomike”, ka theksuar zëdhënësi i Komisionit. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
