Të shtëna me armë zjarri nga një kolonë dasmorësh kanë alarmuar banorët e fshatit Xerxë të Rahovecit, duke detyruar Policinë të dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se informacioni është dhënë nga një person anonim, i cili ka raportuar se nga një veturë në lëvizje, që ishte pjesë e kolonës së një dasme, janë shkrepur disa të shtëna me armë zjarri. Menjëherë pas pranimit të njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë patrulla policore, njësia e hetimeve dhe krim-teknika e Stacionit Policor në Rahovec.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, Policia ka gjetur dhe sekuestruar 11 gëzhoja të kalibrit 9×19 mm, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës. Identiteti i personit që dyshohet se ka shtënë me armë ende nuk është zbuluar, ndërsa hetuesit po punojnë për identifikimin e automjetit dhe autorit.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar për veprën penale “P ërdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” , ndërsa hetimet janë në vazhdim. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
