Filharmonia merr pesë instrumentistë, tentimi i radhës për

0%

Nga: Shaban Maxharraj Shpërndaje në: Me program sfidues e juri të nivelit të lartë, audicioni i Filharmonisë së Kosovës për gjashtë instrumentistë mund të shihet edhe si pikë kthese për institucionet. Ka rezultuar i suksesshëm për pesë pozita përderisa audicioni për violonçelist udhëheqës do të përsëritet pas gjashtë muajsh.

Institucioni është i kënaqur me cilësinë e kandidatëve e ky audicion ia dëshmoi se ekziston potencial i mirë artistik dhe se, në rast të hapjes së pozitave të reja në të ardhmen, ka kandidatë që mund të arrijnë nivelin e kërkuar për t’u bërë pjesë e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës Orkestra e Filharmonisë së Kosovës është pasuruar me pesë instrumentistë të rinj.

Bëhet fjalë për instrumentistë të rregullt. Deri në fund të muajit të kaluar, Orkestra kishte 37 instrumentistë të rregullt, kurse tash numëron 42. Filharmonia, për mungesat që ka praktikon që të angazhojë staf mbështetës varësisht nga nevojat programore të koncerteve. Por me punësimet e fundmuajit të kaluar, ka kompletuar bazën e Orkestrës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Krejt kjo është bërë nëpërmjet një audicioni, i cili sa u përket organizimeve të tilla në nivel të institucioneve qendrore të kulturës, mund të llogaritet si model. Me program sfidues e juri të nivelit të lartë, ky audicion mund të shihet edhe si pikë kthese për institucionet. Rron Bakalli e Ferdi Fanaj janë violinistët tutistë që i janë shtuar ansamblit.

Në këtë kategori kanë aplikuar gjithsejtë 7 veta. Njomza Bislimi është violistja tutiste që i është shtuar Orkestrës përderisa në këtë kategori ishin pesë kandidate. Fjolla Asllanaj violonçeliste tutiste ka dalë kandidate e suksesshme përderisa për këtë pozitë qenë veç dy kandidate. Kurse Feriz Feka është zgjedhur kontrabasist tutist në një konkurrencë me dy kandidatë të tjerë.

Juria qe në përbërje të Roberta Vernas, koncertmjeshtre në “Deutsche Oper” në Berlin, Peter Valentoviq, dirigjent i përhershëm i Teatrit Shtetëror në Košice, Sllovaki, Marco Crispo, dirigjent që zhvillon karrierën në Itali dhe Danimarkë, koncertmjeshtërve të Filharmonisë së Kosovës, Visar Kuçi dhe Festim Fanaj si dhe Erlinda Gashi, violiniste, në cilësinë e anëtares zëvendësuese të jurisë.

Festim Fanaj duke qenë vëlla me Ferdi Fanajn, s’ka pasur të drejtë vlerësimi në rastin e interpretimit të tij. Për kategoritë e violonçelit dhe kontrabasit, në vend të Roberta Vernës, anëtar i jurisë ishte Theodor Lyngstad, violonçelist norvegjez dhe aktualisht udhëheqës i grupit të violonçelistëve në Filharmoninë e Kopenhagës.

Siç ka shpjeguar ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmionisë së Kosovës, Dardan Selimaj, procesi i vlerësimit ishte i organizuar në dy faza, duke u bazuar në Rregulloren e Filharmonisë së Kosovës dhe duke përshtatur disa nga praktikat e orkestrave evropiane me rrethanat e vendit.

“Çdo orkestër ka specifikat e veta, ndërsa ne kemi ndërtuar një model që i përgjigjet nevojave dhe kushteve të institucionit. Audicioni u zhvillua në dy faza: faza e parë ishte audicion me perde, ku kandidatët duhej të arrinin minimumi 55 pikë për të kaluar në fazën e dytë. Faza e dytë ishte audicion i hapur, ku pragu minimal për t’u shpallur fitues ishte 70 pikë”, ka sqaruar Selimaj.

Stafi i Filharmonisë është kujdesur që kandidatët të mos takohen me njëri-tjetrin gjatë hyrje-daljeve, midis të tjerash edhe për të mos treguar se çfarë kanë luajtur aty për aty pos programit të përgatitur për audicion. Po ashtu krejt interpretimet para jurisë janë xhiruar që në rast të ankesave, secili mund të shikojë se si ka performuar.

Në konkurs janë kërkuar dy violinistë tutistë, një violonçelist udhëheqës, një violist tutist, një violonçelist tutist dhe një kontrabas. Në kategorinë e violonçelit udhëheqës, audicioni ka dalë i pasuksesshëm. “Jemi të kënaqur që për shumicën e pozitave të shpallura kemi pasur kandidatë.

Në rastin e pozitës së udhëheqësit të grupit të violonçelëve, kriteret artistike kanë qenë më të larta. Të dy kandidatët kanë dëshmuar nivel të mirë profesional, por asnjëri nuk arriti pragun e nevojshëm për t’u përzgjedhur. Për këtë arsye, audicioni për pozitën e udhëheqësit të grupit të violonçelëve do të përsëritet pas gjashtë muajsh”, ka thënë Selimaj.

Për violonçeloist udhëheqës kandidatë ishin Aurora Kabashi dhe Arian Zherka. Kabashi është pjesë e institucionit si e angazhuar me projekte kurse Zherka është i punësuar i rregullt. Sipas Selimajt, institucioni është i kënaqur me cilësinë e kandidatëve.

Ka thënë se ky audicion dëshmoi se ekziston potencial i mirë artistik dhe se, në rast të hapjes së pozitave të reja në të ardhmen, ka kandidatë që mund të arrijnë nivelin e kërkuar për t’u bërë pjesë e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.

Tash, Orkestra ka si të punësuar të rregullt 13 në violina, 4 në viola, 3 në violonçel, një në kontrabas, 2 në flaut, 2 në klarinetë, 2 në fagot, 2 në trumbetë, 3 në trombon, 3 në korno një në tubë dhe një në timpan. Kurse numri i përgjithshëm i të punësuarve në Filharmoninë e Kosovës deri tash qe 80 përfshirë instrumentistët, koristët dhe stafin administrativ-teknik.

Kurse me audicioin e fundit janë bërë 85. Konkursi paraprak i Filharmonisë për punësim të instrumentistëve të rregullt ishte organizuar në janar të vitit 2022 për pozicionet: Klarinetë II, korno IV, fagot II, violonçel tutist dhe asistent-dirigjenti i Korit.

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës që ende s’është e kompletuar me të punësuar të rregullt, u themelua pas luftës së fundit në Kosovë në vitin 2000 me iniciativë të disa muziktarëve të dalluar të Kosovës.

Fillimisht si ansambël harkor e më vonë orkestër kamerale, Filharmonia e Kosovës është vazhdimësi e punës së ish-Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit të Prishtinës, themeluar më 1975 veprimtaria e së cilës u shua me dhunë nga regjimi serb në vitin 1990.

Sipas ueb-faqes së Filharmonisë, pas konsolidimit të institucioneve shtetërore të Kosovës, Filharmonia e Kosovës kaloi në përkujdesje të Ministrisë së Kulturës. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ka realizuar koncerte simfonike dhe operistike në kuadër të sezoneve koncertale vjetore brenda e jashtë vendit.

Kurse në programet e Orkestrës janë prezantuar veprat e kompozitorëve botërorë dhe atyre shqiptarë të të gjitha orientimeve stilistike.

Burimi: Koha