Wayne Rooney ka shprehur shqetësim për paraqitjen e Anglisë, pas fitores së vështirë ndaj DR Congo në Kupën e Botës. Legjenda angleze, aktualisht komentator për BBC-në, analizoi ndeshjen dhe theksoi se skuadra ka probleme serioze në momentet kur humbet topin, duke lënë hapësira të mëdha për kundërshtarët. “Jam shumë i shqetësuar. Kur Anglia humbet topin, krijohen boshllëqe të mëdha.
Do të kemi problem kundër ekipeve më të forta”, u shpreh Rooney. Pavarësisht kritikave, ai vlerësoi paraqitjen e kapitenit Harry Kane, i cili ishte vendimtar me dy gola në këtë ndeshje, duke i dhënë Anglisë kualifikimin në fazën e radhës. “Kane lëvizi shkëlqyeshëm për golin e parë me kokë dhe goli i dytë ishte i pabesueshëm. Ai është një yll i Anglisë dhe heroi ynë”, shtoi Rooney.
Rooney shtoi se Anglia duhet të përmirësohet në aspektin taktik dhe të jetë më e kujdesshme në mbrojtje, nëse synon të shkojë deri në fund të turneut. “Ka gjëra për t’u përmirësuar, por në fazat eliminatore më e rëndësishmja është të kalosh tutje”, përfundoi ai.
