Martínez: Kroacia është gjithmonë e njëjta skuadër

0%

Përzgjedhësi i Portugalisë, Roberto Martínez, ka folur me shumë respekt për Kroacinë në prag të përballjes së të tetës së finales së Kampionatit Botëror, duke theksuar se skuadra e tij është gati për fazën më vendimtare të turneut. Martínez deklaroi se ndeshja ndaj Kroacisë shënon fillimin e “Botërorit të vërtetë”, pasi faza me eliminim direkt kërkon një qasje krejtësisht tjetër.

“Kemi një ekip të fortë, me shumë cilësi, unitet dhe përkushtim. Tre ndeshjet e fazës së grupeve na shërbyen si përgatitja më e mirë. Kaluam momente të vështira, por treguam karakter, intensitet dhe pjekuri. Ishte shumë e rëndësishme të mos humbnim ndaj Kolumbisë. Tani nis sfida e vërtetë e Botërorit dhe besoj se jemi plotësisht të përgatitur”, u shpreh ai.

Martinez konfirmoi se rotacioni i futbollistëve gjatë fazës së grupeve ishte planifikuar me kujdes, në mënyrë që skuadra të arrinte në fazën nokaut me të gjithë lojtarët në formën më të mirë. “Kam aktivizuar 21 futbollistë dhe secili prej tyre është gati të ndihmojë ekipin. Tani fillon një garë tjetër dhe të gjithë janë të përgatitur”, tha Martínez.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai u ndal edhe te kushtet klimatike, duke theksuar se Portugalia nuk e sheh lagështinë e lartë si problem, transmeton media kroate “Index”. “Jemi stërvitur në Palm Beach dhe jemi ambientuar me këto kushte. Ekipi është gati të japë maksimumin”, shtoi ai.

Duke analizuar kundërshtarin, Martínez vlerësoi lojën dhe vazhdimësinë e Kroacisë, duke e cilësuar si një ekip teknik që di të përshtatet sipas situatës në fushë. “Kroacia është gjithmonë e njëjta skuadër. I pëlqen ta mbajë topin, ka futbollistë me cilësi të jashtëzakonshme dhe di të ndryshojë mënyrën e lojës sipas kundërshtarit.

Kundër Anglisë ushtroi presion të lartë, ndërsa në ndeshje të tjera ishte më pragmatike. Për ne do të jetë thelbësore kontrolli i topit, sepse të dyja skuadrat janë më të rrezikshme kur e kanë posedimin”, theksoi ai. Martínez rezervoi fjalët më të mira për përzgjedhësin kroat Zlatko Daliq, duke e konsideruar një nga faktorët kryesorë të suksesit të vazhdueshëm të Kroacisë.

“Dua të veçoj punën e shkëlqyer të Zlatkos, i cili ka drejtuar Kroacinë për rreth dhjetë vjet. Ai ka ndërtuar një ekip shumë konkurrues. Sigurisht, lojtarë si Luka Modriç, Joshko Gvardiol dhe Mateo Kovaçiç janë futbollistë të jashtëzakonshëm. Nuk e konsiderojmë veten favoritë.

Favoritë janë kombëtaret që e kanë fituar tashmë Kupën e Botës dhe e kanë atë përvojë psikologjike”, deklaroi Martinez. Në fund, ai u pyet edhe për mundësinë që ky të jetë Botërori i fundit për dy legjendat e futbollit, Cristiano Ronaldon dhe Luka Modriç. “Të dy janë ikona të futbollit botëror dhe shembuj për çdo brez të ri.

Shpresoj që ky të mos jetë vallëzimi i fundit i Cristiano Ronaldos në një Kampionat Botëror”, përfundoi Roberto Martinez.

Burimi: Bota Sot