Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, reagoi pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë që të shtyhet sërish procesi ndaj katër drejtuesve të lartë të UÇK-së dhe që aktgjykimi të shpallet më 16 shtator. Ai tha se Gjykata Speciale, përveç se e ka humbur besimin tonë dhe e ka devijuar misionin e saj, po e thellon gjithnjë e më shumë edhe pakënaqësinë e qytetarëve në Kosovë.
Postimi i plotë: Shtyrja e përsëritur e afatit për vendimin përfundimtar në rastin kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së vetëm sa e rikonfirmon se Gjykata Speciale në Hagë po vepron më shumë si një instrument politik sesa si një gjykatë që udhëhiqet nga parimet e drejtësisë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po vazhdojnë të mbahen peng të këtij procesi të padrejtë dhe të pafund. Paraburgimi i stërzgjatur u është shndërruar atyre në një dënim të padrejtë dhe Gjykata Speciale, përveç se e ka humbur besimin tonë dhe e ka devijuar misionin e saj, po e thellon gjithnjë e më shumë edhe pakënaqësinë e qytetarëve në Kosovë.
Çdo ditë e një procesi të padrejtë është e papranueshme dhe 16 shtatori është datë e largët për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie!
