Një situatë e pazakontë ka ndodhur në futbollin kosovar, ku brenda një periudhe të shkurtër janë publikuar dy njoftime krejtësisht kontradiktore për sulmuesin Bleart Tolaj. Fillimisht, Gjilani e prezantoi Tolajn si përforcimin më të ri të skuadrës për sezonin e ri, duke lënë të kuptohet se sulmuesi do t’i bashkohej klubit nga qyteti i Anamoravës.
Megjithatë, vetëm pak më vonë reagoi Ballkani, i cili zyrtarizoi se ka arritur marrëveshje me futbollistin për rinovimin e kontratës edhe për dy vite të tjera, duke konfirmuar se Tolaj do të vazhdojë të jetë pjesë e kampionëve nga Suhareka. Kjo ka krijuar konfuzion në opinionin sportiv, pasi dy klubet kanë bërë njoftime që bien ndesh me njëra-tjetrën për të ardhmen e të njëjtit futbollist.
Mbetet të shihet se cili është zhvillimi zyrtar në këtë rast dhe nëse njëra nga palët do të sqarojë situatën në orët në vijim. Deri atëherë, rasti i Bleart Tolajt mbetet një nga episodet më të veçanta të këtij afati kalimtar në futbollin kosovar. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
