Fiks Fare/ Çifti Dumani mashtrojnë sërish me mobilerinë “Luna”, 2800

0%

Pas denoncimeve të mëparshme për mashtrime me viza gjermane dhe për punëtorë të papaguar, çifti Alejda dhe Elton Dumani rikthehet sërish në qendër të ankesave. Këtë herë, një qytetar nga Tirana ka denoncuar në redaksinë e emisionit Fiks Fare se është mashtruar nga mobileria “Luna”, në pronësi të Alejda Dumanit.

Denoncuesi, Ervin Zenelaj, tregon se ka porositur një kuzhinë dhe një etazherë pranë kësaj mobilierie, pasi çmimi i ofruar i ishte dukur i favorshëm. Sipas tij, ai ka paguar plot 2 mijë e 800 euro, ndërsa i ishte premtuar se puna do të përfundonte brenda maksimumi dy muajsh. Megjithatë, kanë kaluar katër muaj dhe kuzhina ende nuk është përfunduar.

“Jemi katër persona në familje dhe nuk kemi as ku të lajmë një gotë, as ku të gatuajmë. Kam kërkuar kthimin e parave, por nuk m’i japin”, shprehet qytetari. Ai tregon se në dokumente si pronare figuron Alejda Dumani, ndërsa komunikimet dhe ndjekja e punimeve bëhen nga bashkëshorti i saj, Elton Dumani.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas denoncuesit, çdo kontakt me ta është shoqëruar me justifikime dhe shtyrje të vazhdueshme të afateve. Ditët e fundit, pas insistimit të vazhdueshëm, atij i janë sjellë vetëm disa skelete të kuzhinës, të cilat janë lënë të pamontuara në një cep të banesës.

Ervini kërkon që ose të përfundohet menjëherë kuzhina sipas marrëveshjes, ose t’i kthehen paratë për ta realizuar projektin diku tjetër. Mesazhet e shkëmbyera me Elton Dumanin tregojnë një seri premtimesh dhe arsyetimesh për vonesat, ndërsa materialet dhe montimi vazhdojnë të mos përfundojnë. Gazetarët e Fiks Fare shkuan pranë mobilerisë “Luna”, ku gjetën vetëm një arkitekte.

I kontaktuar në telefon, Elton Dumani premtoi se puna do të përfundonte të nesërmen. Por edhe pas kalimit të një muaji nga ky premtim, kuzhina vazhdon të mbetet e papërfunduar. Denoncuesi ka dërguar video ne redaksinë e Fiksit që tregojnë se janë montuar vetëm skeletet e sjella më herët, ndërsa pjesa tjetër e punimeve mungon ende.

Ndërkohë, në komunikimet e fundit me qytetarin, Elton Dumani vijon të japë justifikime të reja, duke pretenduar se vonesat lidhen me tharjen e bojës së materialeve.

Burimi: Bota Sot