Deputeti i zgjedhur i LVV-së, Adnan Rrustemi ka komentuar idenë e Besnik Tahirit për një kandidat të përbashkët të opozitës për president, duke thënë se një qasje e tillë do ta kishte ndryshuar situatën politike dhe do ta kishte shmangur krizën institucionale.
“Oferta ka qenë më shumë për pjesën tjetër të opozitës, për PDK-në dhe LDK-në, që të dalim me një kandidat të përbashkët për president. Natyrisht, opozita i ka nënshkrimet e mjaftueshme për të nxjerrë një kandidat dhe siç e kam thënë edhe më parë, që është e drejtë e tyre dhe mbetet në vlerësimin e tyre.
Për anën tjetër, po të përdorej kjo mundësi herën e kaluar, ne thjesht nuk do të kishim krizën dhe nuk do t’i kishim zgjedhjet e parakohshme. Sepse Kuvendi do të kishte mundësi dhe kuorum për ta zgjedhur presidentin apo presidenten e Republikës.
Prandaj, unë mirëpres çfarëdo ideje të opozitës për ta tejkaluar dhe për ta zgjidhur krizën e presidentit, natyrisht me shpresë që kanë hequr dorë nga bllokada. Bllokada nuk është asnjëherë zgjidhje”, u shpreh Rrustemi. Ai shtoi se kjo çështje i takon ekskluzivisht opozitës dhe nuk lidhet me Lëvizjen Vetëvendosje. “Kjo është marrëveshje përbrenda opozitës.
Nëse zoti Tahiri e ka fjalën për marrëveshje brenda opozitës për një kandidat të tyre të përbashkët, po, është e vërtetë që nëse opozita do të dilte me një kandidat për president herën e kaluar, ne do të kishim kuorumin e mjaftueshëm dhe nuk do ta kishim krizën dhe nuk do t’i kishim zgjedhjet e parakohshme. Por që opozita refuzonte çfarëdo mundësie sepse kishte ndarë mendjen për zgjedhje.
Ata donin zgjedhje me çdo kusht e me çdo mjet, prandaj ajo refuzonte secilën ofertë të Lëvizjes Vetëvendosje, qoftë kryetarin e Kuvendit, qoftë përfshirjen në qeveri të LDK-së, qoftë presidentin konsensual, po qoftë edhe që të propozojnë një emër apo tre emra e njërin prej tyre do ta votonim ne.
Prandaj, domethënë, ideja e zotit Tahiri, e ofertës së zotit Tahiri është për PDK-në dhe LDK-në që të bëjnë pjesë e këtij procesi dhe të heqin dorë nga bllokada.
Prandaj, po e përsëris, unë mirëpres çfarëdo iniciative të opozitës që reflekton heqje dorë nga bllokada e refuzimit dhe natyrisht ndihmojnë e kontribuojnë në çfarëdo mënyre, qoftë edhe duke dalë me kandidat, për ta tejkaluar krizën e presidentit. ” u shpreh Rrustemi.
KosovaPress ka insistuar të kontaktoi edhe me deputetin e zgjedhur të AAK-së, Besnik Tahiri sa i përket qëndrimit të Adnan Rrustemit, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.
Të hënën, deputeti i zgjedhur i Aleancës, Besnik Tahiri ka thënë se zgjidhja për të tejkaluar një ngërç të ri institucional do të ishte nëse partitë e ish-opozitës rreshtohen pas Ramush Haradinajt si kandidat për president e përball tij në garë të jetë një kandidat i VV-së, si parti fituese e zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit më 27 qershor. Nga këto zgjedhje partia e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa, me 47.13%, që ka fituar 53 ulëse.
Partia Demokratike e Kosovës me 19.44% ka fituar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës me 16.69% ka fituar 18 ulëse dhe Aleanca me 6.74% ka fituar shtatë ulëse.
