Kanuni i Lekë Dukagjinit përbën një nga monumentet më të rëndësishme të së drejtës dokësore shqiptare dhe një ndër dëshmitë më të qarta të vazhdimësisë historike të organizimit shoqëror të shqiptarëve.1 Edhe pse mban emrin e princit arbëror Lekë Dukagjini, studiuesit pajtohen se pjesa më e madhe e normave të tij janë shumë më të hershme se shekulli XV.2 Zanafilla e Kanunit duhet kërkuar në shtresimet e lashta të së drejtës zakonore ilire, të transmetuara brez pas brezi përmes traditës gojore.3 Kto kode mbijetuan gjatë pushtimit romak, bizantin, sllav dhe osman.
Parimet themelore të tij, si besa, nderi, mikpritja, përgjegjësia kolektive dhe kuvendi, paraqesin elemente të një kulture juridike me rrënjë të thella historike.4 Në Mesjetën shqiptare, veçanërisht në trevat e Shqipërisë së Epërme, e drejta zakonore mori një formë më të konsoliduar.
Në kushtet e mungesës së një pushteti qendror të qëndrueshëm, bashkësitë vendore krijuan institucione vetëqeverisëse, të mbështetura mbi norma të pashkruara, të cilat rregullonin jetën shoqërore dhe politike.5 Këto norma përbënin bazën e asaj që më vonë do të njihej si Kanuni i Lekë Dukagjinit.
Lidhja e Kanunit me figurën e Lekë Dukagjinit nuk duhet kuptuar si autorësi në kuptimin modern të fjalës. Emri i tij u shndërrua në simbol të autoritetit juridik dhe të drejtësisë tradicionale shqiptare.6 Ka gjasa që gjatë sundimit të tij ose në periudhën pas vdekjes së tij, disa prej normave ekzistuese të jenë sistemuar, plotësuar ose forcuar, duke bërë që e gjithë e drejta zakonore e Shqipërisë së Veriut të identifikohej me emrin e tij.
Gjatë pushtimit osman, Kanuni njohu zhvillimin e tij më të madh. Për shkak të autonomisë së krahinave malore, sidomos të Mirditës, Dukagjinit dhe Malësisë së Madhe, normat zakonore vazhduan të funksiononin si një sistem juridik paralel, duke rregulluar pothuajse të gjitha aspektet e jetës shoqërore.7 organizimin politik, marrëdhëniet ekonomike, të drejtën familjare, pronën, trashëgiminë, procedurat gjyqësore dhe sistemin e sanksioneve.
Një vend të rëndësishëm në zhvillimin e Kanunit zë institucioni i kuvendit, i cili përfaqësonte formën më të lartë të vetëqeverisjes popullore dhe të vendimmarrjes kolektive.8 Kuvendet e burrave, pleqësitë dhe institucionet e ndërmjetësimit dëshmojnë për ekzistencën e një kulture juridike të zhvilluar dhe të një sistemi demokratik tradicional, të ndërtuar mbi konsensusin dhe përgjegjësinë kolektive.
Në shekullin XIX dhe në fillim të shekullit XX, Kanuni tërhoqi vëmendjen e studiuesve dhe albanologëve të huaj, të cilët e konsideruan atë si një ndër kodet zakonore më të plota të Europës Juglindore.Merita më e madhe për mbledhjen dhe sistemimin e Kanunit i takon françeskanit të shquar, At Shtjefën Gjeçovi, i cili e mblodhi atë gjatë një pune shumëvjeçare në viset veriore shqiptare.
Vepra u botua pas vdekjes së tij, në vitin 1933, dhe u bë burimi themelor për studimin e së drejtës dokësore shqiptare.9 Kanuni i Lekë Dukagjinit nuk ishte një sistem juridik i pandryshueshëm; ai u zhvillua dhe u përshtat me nevojat e kohës, duke ruajtur megjithatë parimet themelore të organizimit tradicional shqiptar.10 Në periudha të ndryshme, norma të caktuara ndryshuan, disa u zhdukën dhe të tjera u përshtatën me nevojat e kohës, duke ruajtur megjithatë parimet themelore mbi të cilat ishte ndërtuar.
Në planin historik dhe juridik, Kanuni i Lekë Dukagjinit përfaqëson jo vetëm një përmbledhje zakonesh dhe rregullash tradicionale, por edhe një dëshmi të aftësisë së shqiptarëve për të krijuar institucione vetëqeverisëse dhe një rend juridik funksional në kushtet e mungesës së shtetit.
Për këtë arsye, ai mbetet një nga burimet më të rëndësishme për njohjen e historisë së së drejtës shqiptare, të organizimit shoqëror dhe të identitetit kulturor të kombit shqiptar. Litreatura : Kanuni i Lekë Dukagjinit, përgatitur nga At Shtjefën Gjeçovi, Shkodër, 1933, f. XIII–XV. Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, vëll. VI, Tiranë, 1988, f. 243–246. etje etje
