Policia e Kosovës ka njoftuar se ka shqiptuar një gjobë prej 300 eurosh ndaj kompanisë pronare të një kamioni, pasi drejtuesi i mjetit nuk kishte siguruar ngarkesën që transportonte, duke rrezikuar sigurinë në trafik.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më , gjatë patrullimit të rregullt të zyrtarëve policorë të Stacionit Policor Prizren-Veri, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren. “Gjatë patrullimit të rregullt në qytetin e Prizrenit, policët kanë ndaluar për kontroll një kamion që transportonte blloka ndërtimi.
Gjatë kontrollit është konstatuar se drejtuesi i kamionit nuk kishte siguruar ngarkesën, duke rrezikuar sigurinë në komunikacion”, thuhet në njoftimin e Policisë. Për këtë shkelje, Policia ka bërë të ditur se personit juridik, përkatësisht kompanisë pronare të kamionit, i është shqiptuar një gjobë në vlerë prej 300 eurosh.
Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj për zbatimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë publike. “Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë publike, duke ndërmarrë veprime të vazhdueshme për identifikimin, parandalimin dhe ndalimin e dukurive që bien ndesh me ligjin dhe që rrezikojnë jetën e qytetarëve”, thuhet më tej në njoftim. / Telegrafi
