Rruga e paasfaltuar që e lidhë fshatin Rimanishtë me fshatin Siqevë të Komunës së Prishtinës po sjell vështirësi për banorët që jetojnë në atë zonë. Ata tregojnë se gjendja e rrugës po ua vështirëson qarkullimin e përditshëm, ndërsa gjatë verës përballen me pluhur të madh, e në dimër me baltë dhe gropa që e bëjnë lëvizjen edhe më të vështirë.
KALLXO.com ka sjellur pamje të kësaj rruge që janë evidentuar më datë . Rruga “Rimanishtë-Siqevë”, foto: Nora Osmani/KALLXO.com, Lidhur me këtë, banori, Avdyl Musliu tregoi se punimet kishin nisur rreth tri vjet më parë dhe rruga ishte përgatitur për asfaltim por projekti mbeti i papërfunduar.
“Shumë është pengesë e madhe faktikisht diku para tri vite është punuar, është përgatitur për shtrim të asfaltit, por nuk është nuk është shtruar, nuk e di çka ndodhi edhe pse edhe në komunë ka qenë e pranuar si tender që duhet me u shtru, po s’di çka ndodhi edhe ma mbetëm.” – tha ai.
Ai poashtu tregoi se gjendja e segmentit është përkeqësuar me kalimin e kohës, ndërsa kërkesa e vetme e tyre si banorë është që rruga të asfaltohet sa më shpejt. “Po çfarë është më e keqja që rruga është dëmtuar tepër në krahasim me atëherë sa u kanë e përgatitur, tash u dëmtu shumë.
Janë shembur shumë vende edhe pjesa e epërme që u kanë, janë bajtë e kanë ra poshtë, e kanë çel kanalizimin këtë anë. Se tash tjetrën anë e kanë deformuar krejt, është deformuar rruga krejt. Po bëhet balta mos vet kur është koha, kur ka shi. Kërkesa jonë është e vetme. Mundësisht sa më shpejt me na u asfaltu kjo rrugë.” – potencoi Musliu.
Edhe Adem Musliu, banor i fshatit Rimanishtë tha se gjendja e rrugës po u shkakton dëme automjeteve të banorëve. Ai theksoi se kërkesat ndaj Komunës janë bërë prej kohësh dhe tha se shpreson që punimet të përfundojnë sa më shpejt. “Shumë na shqetëson se a po e sheh me kerret, me i dëmtu kerret me i dëmtu tanat. Po kërkesat janë bë më herët.
Me ato kërkesa ata kanë filluar sigurisht edhe punën. Po tash ka ngec diçka nuk është t’u ec më qysh duhet. Le të vijnë, le të shohin gjendjen edhe me mujtë sa më shpejt me kry” – u shpreh banori, Adem Musliu. Ndërkaq, një tjetër banor, Emin Musliu tha se ndonëse bëhet fjalë për një segment të shkurtër rrugor, ai po u krijon probleme të vazhdueshme banorëve.
Sipas tij, gjatë verës pluhuri dhe gjatë dimrit balta e gropat e vështirësojnë qarkullimin e veturave. “Po ne realisht hallin më të madhin e kemi këtë rrugë sepse është një distancë shumë e shkurtë, por na paraqet probleme të mëdha sepse siç po e shihni tash verës bëhet shumë pluhur i madh, ndërsa dimrit kur ka të reshura atmosferike, gërryhet rruga edhe formohen edhe gropa dhe po e kemi problem edhe për qarkullim.” – theksoi ai.
Ai këtë gjendje e quajti si një imazh jo të mirë për Komunën e Prishtinës, ndërsa theksoi se përfundimi i asfaltimit është një nevojë e domosdoshme për banorët e kësaj zone.
“Për Komunën e Prishtinës është një imazh jo i mirë sepse saktësisht ne prej Prishtine jemi diku 11 km larg, në këtë kohën moderne mos me qenë kjo rrugë e asfalttuar, është një imazh jo i mirë për kryetarin e komunës dhe për Komunën e Prishtinës. Edhe pse rruga e ka bazën e mirë, domethënë vetëm për një shtresë të asfaltit ka mbetur pa u rregulluar.” – deklaroi Emin Musliu.
Lidhur me këtë, nga Komuna e Prishtinës thanë se projekti për asfaltimin e kësaj rruge kishte nisur në vitin 2022 dhe se një pjesë e punimeve ishte realizuar. Sipas drejtoreshës së Investimeve Kapitale, Zyhrije Pllana, kontrata u ndërpre për shkak të cilësisë së dobët të punimeve dhe mungesës së sasive të nevojshme për përfundimin e projektit.
“Sa i përket rrugës lidhëse ndërmjet fshatrave Siqevë dhe Rimanishtë, ju njoftoj se kontrata për realizimin e këtij projekti ka filluar në vitin 2022 dhe një pjesë e punimeve është realizuar (Hapja e trases, germimi mbushja dhe zhavorimi dhe hapja e kanaleve).
Megjithatë, për shkak të cilësisë së dobët të punimeve, si dhe mungesës së sasive të nevojshme për përfundimin e projektit, jemi detyruar ta ndërpresim kontratën.” – tregoi Pllana për KALLXO.com Pllana bëri të ditur se gjatë vitit 2027 pritet të iniciohet procedura e re e prokurimit për përfundimin e punimeve.
Ajo shtoi se rruga aktualisht është e kalueshme me shtresën e zhavorrit, ndërsa kërkoi mirëkuptimin e banorëve deri në përfundimin e projektit. “Ky projekt është pjesë e Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) dhe, sipas planifikimeve aktuale, gjatë vitit 2027 pritet të iniciohet procedura e re e prokurimit, me qëllim të përfundimit të të gjitha punimeve në këtë rrugë.
Gjithashtu, ju informojmë se në rrugë është shtruar dhe ngjeshur shtresa e zhavorrit, duke e bërë atë të kalueshme për qarkullim. Natyrisht, rrugët e paasfaltuara gjatë sezonit veror krijojnë pluhur, ndërsa gjatë sezonit dimëror krijojnë baltë. Megjithatë, Komuna nuk mund të pranojë punime të papërfunduara ose punime që nuk i plotësojnë standardet e kërkuara të cilësisë.
Me këtë rast kërkojmë mirëkuptimin e banorëve deri në finalizimin e të gjitha punimeve.” – shtoi tutje Pllana.
