9 persona janë arrestuar si pasojë e një operacioni policor të kryer në 21 lokacione të ndryshme. Ky operacion ishte i udhëhequr nga Prokuroria Speciale dhe Drejtoria për hetimin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës, me asistimin e Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës.
Përmes një komunikate të përbashkët të këtyre institucioneve bëhet e ditur se aksioni ishte i bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Në komunikatë shtohet se pas grumbullimit të informacioneve dhe sigurimit të provave se është krijuar dyshimin e arsyeshëm se të arrestuarit kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke paraqitur dokumenteve të rreme lidhur me tatimet, si dhe duke realizuar shitje dhe transaksione fiktive të derivateve të naftës.
Gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit është gjetur dhe sekuestruar 15 mijë euro, 5 vetura, 5 autobot për transport të derivative, 2 armë zjarri, 54 fishekë, pajisje elektronike, dokumente të ndryshme dhe prova të tjera relevante për rastin, 301 euro në kartëmonedha prej 2 eurosh, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara.
Në operacionin policor kanë marrë pjesë ekipet relevante të Policisë, Doganës dhe ATK-ja. Si pasojë e hetimeve të përbashkëta të këtyre akterëve të rendit dhe sigurisë bëhet e ditur se këto hetime kanë çuar në arrestimin e F.M., F.M., M.M., S.K., N.B., D.M., A.M., N.M., dhe G.Q.
Të arrestuarit dyshohen për kryerjen e veprës penale “Shpëlarje e parave”, “Kontrabandimi i mallrave në bashkëkryerje”, “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi”. Sipas komunikatës bëhet e ditur se ky operacion është zhvilluar në kuadër të veprimeve procedurale hetimore.
Burimet e KALLXO.com kanë sqaruar skemën , e cila dyshohet se i ka shkaktuar qindra mijëra euro dëme buxhetit të Republikës së Shqipërisë dhe ka ndërtuar një skemë të shpëlarjes së parave në Kosovë.
Sipas këtyre burimeve, ky grup kishte përdorur një skemë të njohur të kontrabandimit dhe shmangies së tatimeve të naftës teknike, e cila ishte përdorur edhe në kontrabandën e naftës në zonën veriore të Kosovës. Sipas burimeve, nafta ishte importuar nga kompani nga Kosova dhe kishte kaluar transit në Republikën e Shqipërisë.
Shqipëria, sipas burimeve, ka taksa shumë më të larta për naftën, diku mes 20 deri në 40 centë më të shtrenjta se sa në Kosovë. Grupi, sipas burimeve, kishte zbarkuar naftën në Shqipëri, ku ajo ishte shitur në tregun e zi, ndërsa maunat ishin mbushur me ujë dhe ishin futur në Kosovë.
Maunat, sipas këtyre burimeve, kishin paguar doganën dhe akcizën, e cila është më e ulët në Kosovë, duke krijuar fitime prej 10 apo më shumë centësh për secilin litër të naftës që ishte zbarkuar në Shqipëri dhe në formë fiktive ishte importuar në Kosovë.
Rrjeti, sipas burimeve, ka arritur që tutje të krijojë fatura fiktive të shitjeve në pompat e derivateve dhe në biznese të tjera të vendit, të cilat kishin arritur t’i arsyetonin importet dhe çmimet e shitjes. Skema, sipas burimeve, implikon edhe hetime të cilat zhvillohen në Shqipëri për rrjetin në fjalë.
Hulumtimet e mëhershme kishin dokumentuar se zona e veriut të Kosovës ishte përdorur për një skemë të ngjashme, ku për shkak të bllokadave dhe barrikadave, mauna të tëra të deklaruara si mauna me naftë ishin futur në Kosovë, ndërsa në realitet ato ishin të mbushura me ujë.
Hetimi, sipas burimeve të KALLXO.com, tani është fokusuar në shmangiet tatimore që bizneset në Kosovë kanë mundur t’i bëjnë për shkak të faturave fiktive.
