Me sezonin turistik që ka nisur dhe me pritshmëritë për një numër të lartë vizitorësh në Berat, Kryeinspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula ka mbledhur drejtuesit e inspektoriateve rajonale për të kërkuar kontrolle më të forta në terren.
Në takim morën pjesë drejtues të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), si edhe të strukturave të tjera në varësi. Sipas Sulës, objektivi është parandalimi dhe përballimi në kohë i çdo problematike që mund të shfaqet gjatë muajve të verës, kur Berati pret një numër të lartë turistësh vendas dhe të huaj.
Një vëmendje e veçantë, sipas tij, do t’i kushtohet sigurisë ushqimore. Ai kërkoi që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit të intensifikojë kontrollet në restorante, bujtina dhe në çdo subjekt që ofron shërbime ushqimore, me qëllim garantimin e standardeve për konsumatorët.
Po ashtu, në gatishmëri do të jenë edhe inspektoratet e higjienës dhe të shëndetësisë, me fokus mbrojtjen e mjedisit dhe parandalimin e ndotjes së lumit Osum. “Kushdo subjekt që ndot lumin Osum apo mjedisin do të përballet me masa të rrepta administrative dhe gjoba, nëse nuk respekton normat ligjore për mbrojtjen e mjedisit”, deklaroi Sula.
Ai theksoi se lumi Osum është një pasuri që u shërben të gjithë qytetarëve dhe se aktiviteti ekonomik duhet të zhvillohet duke respektuar rregullat për mbrojtjen e mjedisit. “Subjektet do të vazhdojnë punën dhe aktivitetin ekonomik, por brenda të gjitha rregullave për mbrojtjen e mjedisit.
Do të kërkoj një raport të veçantë për dëmtimin, në mënyrë që të parandalohen situata që kanë ndodhur shpesh në qarkun e Beratit”, u shpreh ai. Kryeinspektori i Përgjithshëm bëri të ditur gjithashtu se u ka kërkuar të gjitha institucioneve në varësi raportime të detajuara për problematikat e konstatuara në terren.
Sipas tij, një nga çështjet që kërkon vëmendje mbetet dëmtimi i mjedisit nga aktiviteti i subjekteve që ushtrojnë nxjerrjen e pllakave të gurit dekorativ në malin e Tomorrit.
“Masakra që është bërë përgjatë 35-36 viteve në qarkun e Beratit sa i përket gurit dekorativ.. ne jemi të vendosur t’i ndalim dhe ju garantoj që për të gjithë lumenjtë e Shqipërisë po përgatisim një plan strategjik afatgjatë për mbikqyrjen kontrollin dhe disiplinimin e tyre.
Për sa kohë unë do jem në krye të Inspektoratit, do të jemi të vendosur për tolerancë zero në dëmtimin e mjedisit” tha ai.
