Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Këngëtarja dhe aktorja, Miley Cyrus, ka prezantuar kukullën e saj “Barbie”, duke e cilësuar këtë si një moment “që e mbyll rrethin” e një ëndrre të fëmijërisë. 33-vjeçarja nuk e fshehu emocionin kur e pa për herë të parë kukullën në një video të publikuar nga Billboard. “Jam e fiksuar pas saj. E adhuroj!
Çdo detaj është menduar me shumë kujdes dhe ka shumë rëndësi për mua. Nga forma e këpucëve, xhaketa prej lëkure, rripi, flokët, syzet, gjithçka është ashtu siç e kam ëndërruar”, ka thënë ajo. Cyrus e ka vlerësuar edhe mikrofonin që mban kukulla, duke theksuar se ai simbolizon gjënë më të rëndësishme në jetën e saj. “Ishte shumë e rëndësishme për mua që muzika të mbetej në qendër.
Mikrofoni përfaqëson jo vetëm muzikën, por edhe përdorimin e zërit tënd për t’u shprehur”, ka thënë ajo. Në një video të publikuar në Instagram, këngëtarja tregoi edhe koleksionin e saj të kukullave “Barbie”, përpara se t’i shtonte edhe versionin e saj. “Barbie ka qenë gjithmonë një ëndërr personale. Kur isha e vogël i gërshetoja flokët dhe i ndërroja rrobat.
Sot e ruaj koleksionin tim pa i nxjerrë fare nga kutia. Të mbaj në duar ‘Barbien’ time është një moment shumë i veçantë. Shpresoj që sa herë ta mbani në duar, t’ju kujtojë të ndiqni ëndrrat tuaja”, ka shkruar ajo. Kukulla, e veshur me një krijim të personalizuar nga brendi “Alaia”, është tashmë në shitje me çmim rreth 70 funte britanike.
Fansat reaguan menjëherë në rrjetet sociale me komente si: “Më duhet patjetër!”, “’Barbieja’ më e bukur ndonjëherë!” dhe “Vetëm legjendat kanë ‘Barbie’”.
