Një 63-vjeçar nga fshati Balincë i Malishevës ka përfunduar nën hetim pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në ajër për të festuar lindjen e nipit, raporton Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se Policia e Malishevës ka pranuar informacione rreth orës për të shtëna me armë zjarri në këtë fshat.
Pas verifikimit të informatave dhe identifikimit të të dyshuarit, me autorizim të Prokurorit të Shtetit është kryer bastisje në shtëpinë e Isni Gashit, rreth 63-vjeçar. Gjatë bastisjes, Policia ka sekuestruar një pistoletë Beretta, të kalibrit 9 mm, një karikator, 75 fishekë të kalibrit 9 mm, si dhe një gëzhojë që dyshohet se i përket armës së sekuestruar.
Sipas hetimeve, i dyshuari posedonte leje për mbajtjen e armës. Megjithatë, gjatë intervistimit ai ka pranuar se kishte shtënë disa herë në ajër nga gëzimi për lindjen e nipit. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa arma dhe municioni janë sekuestruar si prova materiale. Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
