Shpërndaje në: Analisti Ejup Gojnovci vlerëson se zhvillimet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës e komplikojnë procesin e formimit të institucioneve, duke e bërë të vështirë arritjen e një marrëveshjeje politike. Siç ka thënë ai, bashkëpunimi mes partive është i domosdoshëm, por se nuk sheh sinjale konkrete të një komunikimi të tillë.
“Bashkëpunimin e kanë të domosdoshëm sidomos për presidentin. Do ishte optimiste që në fund të korrikut të kemi institucione të përfunduar.
Përveç se nuk kemi askund komunikim të tillë të bashkëpunimit, zhvillimet në LDK, si partneri i preferuar i VV-së, e ngatërrojnë edhe më tepër këtë situatë sepse në LDK nuk kemi një zë që vendos dhe një strukturë politike për të marrë një vendim pastaj bashkë me VV0në të ecin përpara në krijimin e institucioneve”, ka thënë ai.
Derisa ka folur edhe për mundësinë e bashkëpunimit të LVV-së me partitë e tjera, ka theksuar se edhe aty ekzistojnë rrethana që e vështirësojnë arritjen e një marrëveshjeje. “Kemi edhe dy parti tjera shqiptare që mund të jenë partnerë. PDK si aleat i mundshëm me VV-në mbetet në një situatë pritjeje të zhvillimeve në Gjykatën e Hagës.
Duke qenë kjo pritje që ngushton hapësirën e veprimit te PDK-ja, mendoj se brenda korrikut do ta kemi të vështirë ta shohim atë si lojtar të rëndësishëm për krijimin e institucioneve, veçanërisht për presidentin. Në anën tjetër, AAK-ja është e vogël në numër dhe nuk çon peshë”, u shpreh Gojnovci.
