Shpërndaje në: Veton Mujaj nga organizata “Syri i Vizionit”, ka thënë se në momentin që certifikohen rezultatet e partive politike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të kuptohet përmes qasjes së partive se a ka vullnet për formimin e institucioneve të vendit.
Mujaj në emisionin “Konfront” në KTV, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës e ka të fshehtë vullnetin politik edhe për shkak të përplasjeve brenda. Sipas tij, brenda LDK-së ka gatishmëri për të bashkëqeverisur me Lëvizjen Vetëvendosje, megjithatë kjo nuk do të thotë që garantohen votat e 18 deputetëve.
“Aktualisht, vullneti politik është i fshehtë sidomos me këto përplasjet që janë brenda LDK-së ku ka interes nga disa që të afrohen për një formë bashkëqeverisje por nuk dihet pastaj a i kanë numrat për këtë bashkëpunim. Nëse ka një përçarje të vogël që nuk e ofron mundësinë e 18 deputetëve për të krijuar qeverinë atëherë do të duhet gjetur alternativa të tjera”, ka deklaruar ai.
Muajaj ka vlerësuar se qasja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë më liberale ndërsa sipas tij Partia Demokratike e Kosovës po pret se “çka po ndodhë me LDK e AAK-në për ta parë pastaj se si të veprojë”.
