Dinamo mund të kalojë turin pa luajtur në turin e parë përballë Astanës së Kazakistanit, e cila rrezikon të përjashtohet nga kompeticionet e UEFA-s në këtë edicion pak javë para fillimit të tyre, Lajmi i bujshëm është përhapur në mediat kazake, të cilat shpjegojnë se për shkak të problemeve të mëdha financiare, klubi jo vetëm ka humbur lojtarët më të rëndësishëm në muajt e fundit, por rrezikon edhe të mos ketë fondet e mjaftueshme për të përballuar ndeshjet ndaj Dinamos.
Në media është aluduar se klubi nuk ka fonde më as për të përballuar grumbullimin dhe udhëtimin drejt Shqipërisë për ndeshjen ndaj bluve. Në një situatë të tillë, ka qenë vetë Astana që ka reaguar me një komunikatë në rrjete sociale, duke shpjeguar se nuk ishte problem udhëtimi, por vlerësimi që i bën UEFA situatës financiare të klubit sa u përket borxheve që ka ndaj palëve të treta.
“Në lidhje me përhapjen e informacionit të rremë në media në lidhje me një kërcënim të mundshëm për pjesëmarrjen e FC Astana në garat europiane, ne e konsiderojmë të nevojshme të bëjmë një sqarim. Raportet se pjesëmarrja e klubit në garat europiane është potencialisht e kërcënuar nga mungesa e fondeve për udhëtimin e ekipit në Shqipëri janë të pavërteta.
Përgatitjet për ndeshjen po vazhdojnë si zakonisht dhe të gjitha shpenzimet që lidhen me udhëtimin, akomodimin dhe pjesëmarrjen e ekipit janë mbuluar plotësisht. Arsyeja lidhet vetëm me procesin tremujor të monitorimit financiar të UEFA-s, gjatë të cilit klubi konfirmon se nuk ka detyrime financiare të papaguara ndaj anëtarëve të ekipit të tij.
Klubi aktualisht po punon për ta përfunduar me sukses këtë proces. U kërkojmë tifozëve dhe përfaqësuesve të medias të mbështeten ekskluzivisht në informacionin zyrtar të publikuar në faqet zyrtare të internetit të FC Astana”, shkruhej në njoftimin e klubit, duke lënë të kuptohet se nuk ka mbyllur ende kapitullin e shlyerjes së detyrimeve.
