Shpërndaje në: Lëvizja Vetëvendosje do t’i fillojë bisedimet për krijimin e institucioneve me partitë politike sapo të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit, pati thënë kryetari i saj. E deputeti i zgjedhur i LVV-së, Adnan Rrustemi, të martën theksoi se këtë herë presin që “opozita të ndryshojë qasje nga herët e kaluara”.
E sa i përket idesë së Aleancës për një garë për president mes ish-kryetarit të AAK-së Ramush Haradinajt, nëse do të mbështetej nga opozita, e një kandidati nga LVV-ja, Rrustemi ka thënë se është një prej mënyra për zhbllokimin e situatës politike. “Është një nga veprimet e mundshme që e zgjidh situatën. Po të dilte opozita në të kaluarën me kandidat, nuk do ta kishim krizën dhe zgjedhjet.
Është një nga mundësitë e zhbllokadës. Kjo eliminon problemin e kuorumit. Po të ishte herën e kaluar, nuk do ta kishim krizën”, u shpreh ai në “60 Minuta”. Rrustemi ka kritikuar dhe fajësuar partitë opozitare për bllokadë politike vitin e kaluar, ndërsa ka potencuar se ato nuk duan bashkëpunim. “Ka 18 muaj që opozita kalkulon se si me marrë qeverinë pa i fituar zgjedhjet.
Kur opozita heq dorë nga një plan i tillë për një qeveri të pakicën duke llogaritur në votat e Listës Serbe, ne do të kemi kriza. Nuk duan bashkëpunim, duan një qeveri pa VV-në. Të tri partitë politike shqiptare janë më pak se VV-ja e vetme dhe ata vazhdojnë ta mendojnë në këta 18 muaj që mund të krijojnë qeveri të pakicës pa legjitimitet, kundër fituesit.
Nuk e kanë gajle çfarë ka folur populli 18 muaj”, ka thënë ai. LVV-ja ka thënë disa herë se zgjidhja për presidentin është një emër jopartiak dhe konsensual. PDK-ja pati insistuar që president të zgjidhet kandidati që e propozojnë vetë. E në LDK në zgjedhje garuan me Vjosa Osmanin si kandidate.
Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, pati deklaruar se partia nuk kërkon poste në këmbim të votave, por zotim që të plotësohen 6 kërkesa që i ka quajtur strategjike për zhvillimin e vendit. Më pas Besnik Tahiri nga kjo parti pati deklaruar se nëse “opozita e mbështet kandidaturën e tij (Ramush Haradinaj), atëherë do të ketë garë zgjedhore”.
