Fitorja për të cilën Paraguai priti gjatë

0%

Shpërndaje në: Në Kupën e Botës 1998, Paraguai po barazonte pa gola me Francën në 1/8 e finales. Te Paraguai kishin shpresë për një moment magjepsës nga portieri Jose Luis Chilavert në gjuajtjet nga pika e bardhë. Por një gol i artë në minutën e 114-të nga Laurent Blanc e prishi këtë strategji. 28 vjet më vonë, Paraguai ia doli asaj që gjenerata e Chilavertit nuk mundi.

Skuadra autsajdere nga Amerika e Jugut e mbajti në barazim 1:1 Gjermaninë pas kohës shtesë dhe më pas e eliminoi katër herë kampionen e botës me penallti. Në një nga befasitë më të mëdha në histori të Kupës së Botës, portieri i Paraguait, Orlando Gill ndali gjuajtjet e Kai Havertz dhe Nick Woltemade, përpara se Jonathan Tah të gjuante mbi traversë.

Kjo i hapi rrugë Jose Canales që të realizonte në goditjen vendimtare nga pika e bardhë. Ishte humbja e parë e Gjermanisë në penallti në Kupën e Botës. Megjithatë Gill ka një histori të tij si pritës i penalltive. Ai priti dy për skuadrën San Lorenzo, në një ndeshje ndaj River Plate në Argjentinë në maj. Por San Lorenzo në fund humbi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Vitin e kaluar në një ndeshje çerekfinale kundër Argentinos Juniors, ai bëri pritjen vendimtare në një tjetër seri goditjesh nga pika e bardhë. “Është e vështirë ta përshkruaj me fjalë”:, tha Gill kur doli nga fusha, ndërsa disa nga shokët e tij të ekipit qanin nga gëzimi. “Ishte një ndeshje shumë sfiduese. Ne ishim nën sulm nga të gjitha anët, por rezistuam”.

I pyetur për pritjet e goditjeve nga pika e bardhë, Gill tha se kanë analizuar çdo lojtar, çdo detaj. Përveç në herozimin e Gillit, fitorja e papritur e Paraguait u bazua në besimin e palëkundur të trajnerit Gustavo Alfaro te mbrojtësit e tij. I kritikuar për taktikën e tij në fazën e grupeve, Alfaro rriti besimin në mbrojtës për ndeshjen kundër Gjermanisë.

“Ishte ndeshje në të cilën duhej të ishim Paraguai më shumë se kurrë”, tha kapiteni Gustavo Gomez. “Mendoj se thellë-thellë Gjermania e dinte se nëse donte të na mposhtte, do të duhej të djersitej shumë”. Ky shpirt luftarak ishte shfaqur në fitoren 1:0 ndaj Turqisë në fazën e grupeve. Paraguai mbeti me 10 lojtarë pak par pushimit dhe turqit i kishin 32 raste për gol.

Të hënën Gjermania kishte posedim prej 75 për qind dhe 21 gjuajtje në portë. Paraguai i kishte shtatë. Përtej shifrave, paraqitja e jug-amerikanëve ishte mjeshtëri mbrojtëse. Lojtarët e Paraguait parashikuan thuajse çdo lëvizje të Gjermanisë dhe i kufizuan ato në shumë pak momente rreziku të vërtetë. Këtë e arritën pa qendërmbrojtësin e fortë, Omar Alderete, i cili ishte i lënduar.

Në kohën shtesë Gjermanisë iu anulua një gol pas rishikimit të VAR-it, për një faul në portierin Gill. Fitorja do të jetë veçanërisht e ëmbël për 63-vjeçarin Alfaro, kritikët e të cilit ishin të shumtë. Këtu përfshihet edhe legjenda Chilavert, që kërkoi futboll më sulmues. Por kalimi i Gjermanisë do të hesht kritikët dhe tashmë solli festë të madhe në gjithë Paraguain.

Burimi: Koha