Çështjet pronësore, sfidë e vazhdueshme për komunitetet jo-shumicë

0%

Në Republikën e Kosovës, problemet që lidhen me të drejtën pronësore vazhdojnë të pengojnë funksionimin e sektorit të pronës, pavarësisht reformave të ndërmarra ndër vite.

Një pjesë e këtyre problemeve lidhet me pasojat e luftës, zhvendosjen e popullsisë dhe bartjen e dokumentacionit pronësor nga territori i Kosovës në Serbi, faktorë që vazhdojnë të ndikojnë në realizimin e të drejtës pronësore të komuniteteve jo-shumicë.

Ndërkohë, mungesa e zgjidhjeve për këto çështje nga institucionet e Kosovës, vazhdon të ndikojë në sigurinë juridike, investimet dhe qasjen e barabartë të gjithë qytetarëve në pronë. Me mbështetjen e Bankës Botërore, BIRN në kuadër të projektit PIAKOS, të zbatuar nga ATRC, ka zhvilluar një hulumtim të thellë për sfidat pronësore në vend.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ky raport i publikuar më nxjerr në pah se 30% e pronave në Kosovë janë ende të regjistruara në emër të personave të vdekur, ndërsa vetëm 21% e tyre janë në pronësi të grave. Në raportin e BIRN theksohet gjithashtu se mbi 350 mijë ndërtime vazhdojnë të jenë të palegalizuara, ndërsa mijëra objekte janë ndërtuar në prona të kontestuara ose në prona publike.

Gratë dhe komunitetet e margjinalizuara mbeten ndër grupet më të prekura nga problemet pronësore në Kosovë, me normat tradicionale dhe patriarkale që vazhdojnë të kufizojnë qasjen e grave në pronë, sipas gjetjeve të BIRN. Gjetjet e raportit u prezantuan më para përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile.

Me këtë rast u organizuan dy panele profesionale të ndara, të cilët trajtuan sfidat kryesore të sektorit të pronës dhe nevojën për politika më gjithëpërfshirëse në realizim e të drejtës pronësore për gratë dhe komunitetet jo-shumicë në Kosovë.

Raporti identifikon mungesën e dokumentacionit pronësor, qasjen e kufizuar në shërbime dhe mungesën e përfaqësimit profesional, si disa nga sfidat kryesore me të cilat përballën komunitetet jo-shumicë në Kosovë.

Komunitetet jo-shumicë vazhdojnë të përballen me sfida të theksuara me çështjen e të drejtave pronësore, duke hasur vështirësi në qasjen në informacion dhe shërbimeve institucionale, gjë që ndikon në regjistrimin, trashëgiminë dhe mbrojtjen e pronës së tyre. Më të prekurat mbeten komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, ku rreth 70 për qind e familjeve nuk posedojnë dokumentacion të pronës.

Sipas gjetjeve të raportit, sfidat me të cilat përballen serbët, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, boshnjakët dhe goranët, nuk janë thjeshtë vonesa administrative, por lidhen me mungesën e qasjes në informacion, dokumentacionit pronësor dhe përfaqësimit profesional..

Ndër problemet kryesore të identifikuara janë mungesa e njohurive juridike, varfëria, vështirësitë në sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm për regjistrimin dhe mbrojtjen e pronës. Aktualisht, në vend ka vetëm një noter nga komuniteti serb dhe dy ndërmjetësues të licencuar nga i njëjti komunitet, ndërsa komunitetet e tjera jo-shumicë mbeten pa përfaqësim profesional në këto shërbime.

Raporti vlerëson gjithashtu se rreth 102 shkolla në Kosovë funksionojnë sipas kurrikulës së Ministrisë së Arsimit të Serbisë, duke lënë rreth 18,300 nxënës me njohuri të kufizuara mbi sistemin juridik dhe institucional të Kosovës.

Nga vizitat në terren, autorët kanë konstatuar se pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, shpesh nuk janë të informuar për procedurat formale për zgjidhjen e statusit pronësor, ndërsa informacioni që ata marrin nga institucionet është shpesh i mangët.

Kostot e procedurave administrative dhe ligjore mbesin një tjetër pengesë e rëndësishme për shumë familje nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Në disa zona të Fushë Kosovës, rreth 70% e tyre nuk posedojnë dokumentacion për tokën ku jetojnë. Raporti vlerëson se shpenzimet për përfaqësim ligjor në rastet e kthimit ose formalizimit të pronës mund të arrijnë deri në 30 mijë euro.

Procesin e ndërlikon edhe mungesa e dokumentacionit kadastral, pasi mbi katër milionë dokumente kadastrale vazhdojnë të mbeten në Serbi, pasi Marrëveshja e Brukselit për kthimin e dokumenteve kadastrale nga Serbia ende nuk është zbatuar. Si rezultat, procesi i krahasimit dhe verifikimit të dokumentacionit pronësor vazhdon të mbetet i papërfunduar.

Rreth 2 mijë raste pronësore të vendosura nga gjykatat paralele serbe të Kosovës para vitit 2017 vazhdojnë të mbeten jashtë sistemit juridik të Kosovës, ndonëse ishte arritur marrëveshja për verifikimin e tyre, thuhet në raport.

Raporti evidenton se gratë nga komunitetet jo-shumicë përballen me pengesa të dyfishta në realizimin e të drejtave pronësore, duke u përballur njëkohësisht me presion familjar, norma patriarkale dhe barriera institucionale.

Sipas gjetjeve, gratë nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian dhe serb shpesh hezitojnë të kërkojnë të drejtat e tyre trashëgimore për shkak të presionit social dhe familjar, ndërsa varfëria dhe kostot e procedurave ligjore ua vështirësojnë edhe më tej qasjen në drejtësi.

Në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, gjatë procedurave trashëgimore gratë dhe vajzat shpesh nuk deklarohen si trashëgimtare, duke mbetur jashtë dokumenteve të trashëgimisë. Sipas raportit, kjo lidhet me normat tradicionale sipas të cilave “vajza është për pajë, ndërsa djali për trashëgimi”.

Ndërkohë, gratë që jetojnë në bashkëjetesë të paregjistruar rrezikojnë të mbeten pa mbrojtje juridike në rast të vdekjes së partnerit apo divorcit, pasi dëshmimi i viteve të bashkëjetesës shpesh është i vështirë në mungesë të dokumentacionit.

Për dallim nga gratë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, të cilat shpesh përjashtohen nga procedurat trashëgimore brenda familjes, gratë e komunitetit serb përballen kryesisht me probleme që lidhen me dokumentacionin pronësor dhe mosnjohjen në Kosovë të vendimeve të lëshuara nga institucionet e sistemit paralel serb.

Presioni shoqëror për të hequr dorë nga prona është i lartë, kështu duke bërë që rreth 80% e pronave t’u kalojë drejtpërdrejtë anëtarëve burra të familjes. Ndërkohë, mungesa e formularëve dhe dokumenteve në gjuhën rome, qasja e kufizuar në ndihmë juridike falas dhe mungesa e ndërmjetësuesve nga komunitetet jo-shumicë vazhdojnë të kufizojnë qasjen e grave në të drejtat pronësore.

Gratë pa shtetësi aktive të Kosovës, shpesh të zhvendosura, përjashtohen nga ndihma juridike falas, si dhe mungesa e ndërmjetësuesve të licencuar nga komunitetet joshumicë mbyll një nga rrugët më të shpejta për zgjidhjen e kontesteve.

Sipas raportit gratë që jetojnë në vendbanime joformale afatgjata janë ligjërisht të padukshme, pasi aplikimet për legalizim bëhen kryesisht nga burrat, e kjo i lë ato të pambrojtura në rast të divorcit apo dhunës në familje.

Lidhur me këto çështje, në një diskutim të datës , të moderuar nga Kreshnik Gashi, kryeredaktor në KALLXO.com dhe bashkë-autor i raportit të hulumtimit, mori pjesë Adrijana Hoxhiq, nënkryetare e Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Në këtë diskutim u fol për diskriminimin sistematik dhe pengesat socio-kulturore me të cilat përballen gratë dhe komunitetet jo-shumicë në realizimin e të drejtave pronësore, si dhe për sfidat në regjistrimin dhe legalizimin e pronave, funksionimin e mekanizmave institucionalë dhe ndikimin e vonesave gjyqësore.

Adrijana Hoxhiq, foli për sfidat me të cilat përballen komunat në identifikimin dhe menaxhimin e pronave të uzurpuara, si dhe për procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje në nivel lokal. Sipas saj, mungesa e besimit dhe vështirësitë e qytetarëve për t’u orientuar në procedurat administrative mbeten ndër pengesat kryesore në realizimin e të drejtave pronësore.

Hoxhiq tha se një pjesë e problemeve në Mitrovicë të Veriut, zonë me shumicë serbe, lidhet me zhvillimet urbanistike gjatë periudhës së Jugosllavisë, kur toka iu dha në shfrytëzim kombinatit “Trepça” për ndërtimin e banesave për punëtorët e saj. Si rezultat, një numër i konsiderueshëm pronash vazhdojnë të figurojnë në emër të këtij kombinati.

Ajo shtoi se mungesa e informimit për të drejtat dhe mundësitë ligjore vazhdon t’i pengojë qytetarët të gëzojnë të drejtat e tyre pronësore. Lidhur me këtë, Hajzer Bublaku, specialist ligjor në Agjencinë Kadastrale të Kosovës sqaroi se në të kaluarën në tokat shoqërore janë ndërtuar kryesisht objekte banesore kolektive dhe jo shtëpi individuale.

Sipas Bublakut, objektet banesore të ndërtuara në të kaluarën mbi toka shoqërore nuk e ndryshuan statusin juridik të tokës, e cila vazhdon të mbetet pronë shoqërore. Ai sqaroi se, pas transformimit të Trepçës në ndërmarrje publike, këto prona kaluan në pronësi publike.

Në raste të tilla, banesat regjistrohen si njësi banesore të veçanta, ndërsa toka mbetet në pronësi të Trepçës deri në zgjidhjen e statusit të saj juridik. Ky hulumtim u mundësua me mbështetjen e Bankës Botërore, përkatësisht Fondit për Paqe dhe Shtetndërtim i Bankës Botërore (SPF).

Burimi: Kallxo