Raporti i BIRN-it: Kosova mbetet reaktive në luftën kundër

0%

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN Kosova – publikoi sot, më , raportin e pestë të analizës mbi progresin dhe sfidat e institucioneve të Kosovës në parandalimin e terrorizmit. Ky është raporti i pestë i publikuar nga BIRN Kosova gjatë tre vjetëve të fundit.

Kryeredaktori i KALLXO.com dhe autori i raportit, Kreshnik Gashi, tha se raporti po publikohet në një kohë kur diskutimi publik për ekstremizmin dhe terrorizmin është zbehur, ndonëse të dhënat tregojnë se këto fenomene vazhdojnë të jenë të pranishme në Kosovë.

Kryeredaktori i KALLXO.com dhe autori i raportit, Kreshnik Gashi Arrestimet, incidentet dhe tensionet e vazhdueshme, sipas Gashit, dëshmojnë se rreziku nuk është zhdukur. “Raportin po e lansojmë në një kohë kur Kosova nuk është duke folur shumë për ekstremizmin dhe për terrorizmin, mirëpo fatkeqësisht të dhënat po tregojnë që fenomeni vazhdon me qenë aktiv në vendin tonë”, – tha Gashi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai kujtoi se kur kishte nisur programi, sfida kryesore për Kosovën ishte ekstremizmi me bazë religjioze, ndërsa sot, sipas tij, situata është bërë më komplekse me shfaqjen e ekstremizmit etno-nacionalist dhe atij të djathtë. “Kur kemi nisur këtë program, Kosova ka pasur sfidë të madhe terrorizmin mbi bazën e ekstremizmit religjioz.

Sot, fatkeqësisht, kemi problem edhe me ekstremizmin etno-nacionalist dhe atë të djathtë”, – u shpreh ai. Gashi vlerësoi se rënia e interesimit të mediave, shoqërisë civile dhe opinionit publik për këtë temë nuk përputhet me realitetin në terren. “Diskursi publik nuk është duke folur shumë për ekstremizmin dhe terrorizmin.

Por ajo çka kemi prej të dhënave na tregon që fenomeni po vazhdon me qenë prezent dhe duhet me u punu shumë”,- tha ai. Duke folur për gjetjet e raportit, Gashi theksoi se analiza pasqyron punën e institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile në fushën e parandalimit, por njëkohësisht tregon se nevojiten hapa të tjerë për të përballuar sfidat aktuale.

“Ky raport tregon rezultatet që i kanë pasur institucionet e Kosovës dhe shoqëria civile në fushën e parandalimit, por na ofron edhe të dhëna që tregojnë se ende nuk jemi në hapat e duhur për të arritur rezultate të mira dhe për të qenë në hap me trendet e kohës”, – përfundoi Gashi.

I pranishëm në prezantimin e raportit ishte edhe drejtori i Departamentit për Siguri Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Mensur Hoti, i cili tha se bashkëpunimi me shoqërinë civile ka qenë i qëllimshëm, për t’i siguruar institucionit një vlerësim të pavarur për punën e tij.

Drejtori i Departamentit për Siguri Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Mensur Hoti “Në momentin që kemi vendosur të bashkëpunojmë me shoqërinë civile si një akter jashtëzakonisht i rëndësishëm në këtë fushë, e kemi ditur që do të kemi gjetje në raportet tona dhe realisht kjo është arsyeja kryesore pse kemi kërkuar këtë bashkëpunim”, – tha Hoti.

Sipas tij, Ministria ka synuar të ketë një mekanizëm të jashtëm vlerësimi, në mënyrë që puna e institucioneve të mos analizohet vetëm nga vetë institucionet. “Kemi dashur ta kemi edhe një mekanizëm tjetër që e vlerëson punën tonë, në mënyrë që të mos jemi subjektivë në vlerësimet që i bëjmë për veten.

Edhe kur raportet tregojnë se aktivitetet janë duke u zhvilluar mirë, gjetjet dhe rekomandimet na ndihmojnë të shohim se ku duhet të përmirësohemi”, – u shpreh ai. Hoti shtoi se gjetjet e këtij raporti, por edhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me organizatat e shoqërisë civile, universitetet dhe institucionet e drejtësisë, kanë ndikuar në përmirësimin e punës së Ministrisë.

“Gjetjet e këtij raporti, por edhe bashkëpunimi me organizatat e tjera të shoqërisë civile, me universitetin dhe me gjykatat, na kanë ndihmuar që ta përmirësojmë vetveten”, – shtoi Hoti.

Bashkautori i raportit, njëherësh udhëheqësi i Zyrës Ligjore në BIRN Kosova, Labinot Leposhtica, tha se analiza është fokusuar në katër shtyllat kryesore të parandalimit të ekstremizmit, identifikimin e hershëm, adresimin e shkaqeve dhe rrethanave, sfidimin e ideologjive ekstremiste, si dhe rehabilitimin dhe riintegrimin.

Autori i raportit dhe udhëheqësi i Zyrës Ligjore në BIRN Kosova, Labinot Leposhtica Sipas tij, një nga problemet kryesore që evidenton raporti është mënyra se si kuptohet parandalimi nga institucionet.

“E vërejmë një tendencë nga terreni, nga komunat, por edhe nga takimet tona, që parandalimi padrejtësisht dhe në mënyrë krejt të gabuar po reduktohet vetëm te arrestimet, hetimet dhe gjykimet.

Në fakt, parandalimi fillon në familje, në shkollë, në komunitet, me mënyrën se si institucionet i shkëmbejnë të dhënat dhe me aftësinë e shtetit për ta identifikuar rrezikun në fazën embrionale”, – tha Leposhtica. Ai theksoi se raporti evidenton një kulturë të reagimit vetëm pasi problemi ka ndodhur, në vend të ndërhyrjes së hershme.

“Ajo që kemi parë dhe që e evidenton raporti në vazhdimësi është një kulturë e reagimit post festum . Problemet ndodhin, e vetëm pastaj fillon adresimi i tyre”, – u shpreh ai.

Sipas Leposhticës, kjo qasje reflektohet edhe në përgjigjet e komunave, të cilat në shumicën e rasteve kanë deklaruar se nuk kanë pasur raste të ekstremizmit, duke e lidhur veprimin vetëm me shfaqjen e rasteve konkrete. “Shumica e komunave përgjigjen se nuk kanë pasur raste të tilla.

Pra, janë në pritje të ndodhjes së rasteve për t’i hartuar politikat e tyre, ndërkohë që fryma e strategjisë është krejt tjetër të parandalojë rrezikun para se ai të shfaqet”, – tha Leposhtica. Në fund, ai bëri të ditur se raporti është hartuar mbi bazën e një analize të gjerë, duke kombinuar të dhëna dhe burime të ndryshme për të pasqyruar sa më saktë gjendjen në terren.

Edhe pse Kosova ka ndërtuar një kornizë ligjore dhe institucionale të harmonizuar me standardet evropiane për luftën kundër terrorizmit, parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm vazhdon të mbetet sfida më e madhe. Raporti nga BIRN-i konstaton se institucionet kanë treguar efikasitet në reagimin ndaj rasteve të terrorizmit, por jo në identifikimin dhe parandalimin e hershëm të rreziqeve.

Sipas autorëve, mungon një qasje e koordinuar dhe e mbështetur në të dhëna shkencore, duke bërë që shumë institucione të veprojnë pa një pasqyrë të qartë mbi rreziqet reale. Një nga gjetjet kryesore është mungesa e hulumtimeve të reja empirike.

Institucionet qendrore dhe komunat vazhdojnë të mbështeten në studimin e vjetër “Nga Siria në Shtëpi”, ndërsa nuk janë realizuar analiza të reja për identifikimin e grupeve apo zonave më të cenueshme nga radikalizimi. Raporti evidenton gjithashtu se shumica e komunave nuk kanë funksionalizuar mekanizmat referues multidisiplinarë, të paraparë me Strategjinë Shtetërore.

Me përjashtim të Hanit të Elezit, rastet e ndjeshme vazhdojnë të trajtohen në Këshillat Komunalë për Siguri në Bashkësi, duke rrezikuar konfidencialitetin dhe trajtimin profesional të tyre. Në katër komunat në veri, këto mekanizma pothuajse nuk funksionojnë fare.

Një tjetër problem është mungesa e një sistemi të sigurt digjital për shkëmbimin e informacioneve ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre lokale. Sipas raportit, komunikimi vazhdon të mbështetet kryesisht në dokumente dhe raporte fizike, duke e ngadalësuar reagimin institucional. Në sektorin e arsimit, raporti ngre shqetësimin për mungesën e psikologëve shkollorë.

Edhe pse Ministria e Arsimit ka siguruar buxhet për rreth 500 pozita të reja, komunat ende nuk kanë përfunduar procedurat e rekrutimit. Aktualisht, në të gjithë Kosovën janë vetëm 314 psikologë aktivë, ndërsa në disa komuna një psikolog mbulon dhjetëra shkolla.

Raporti kritikon edhe mungesën e angazhimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në ndërtimin e kundër-narrativave ndaj propagandës ekstremiste. Sipas gjetjeve, ASHAK nuk ka zhvilluar hulumtime, analiza apo aktivitete që do të ndihmonin institucionet në këtë drejtim. Sfida paraqiten edhe në procesin e rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të radikalizuar.

Raporti thekson se grantet për punësim dhe vetëpunësim financohen pothuajse tërësisht nga donatorët ndërkombëtarë, ndërsa shteti mbulon vetëm disa shpenzime bazike, si qiratë për strehim emergjent. Në të njëjtën kohë, pjesëmarrja në programet e deradikalizimit mbetet e ulët, pasi legjislacioni aktual e lë këtë trajtim në baza vullnetare.

Megjithatë, raporti evidenton edhe disa zhvillime pozitive. Policia e Kosovës ka vazhduar angazhimin në komunitet përmes këshillave lokalë të sigurisë dhe ka referuar raste të identifikuara në fazë të hershme, ndërsa Shërbimi Korrektues ka pilotuar instrumente profesionale për vlerësimin e rrezikut të radikalizimit te personat e dënuar.

Për të adresuar këto mangësi, raporti paraqet një sërë rekomandimesh konkrete. Raporti kërkon ndryshimin e Kodit Penal për të mundësuar trajtim të detyrueshëm të deradikalizimit për personat e dënuar për vepra të terrorizmit, krijimin e një linje të veçantë buxhetore shtetërore për programet e rehabilitimit dhe riintegrimit, si dhe shkëputjen nga varësia e plotë ndaj donatorëve.

Në nivel lokal, raporti rekomandon që komunat të funksionalizojnë mekanizmat referues multidisiplinarë, të përfundojnë rekrutimin e psikologëve shkollorë dhe të zhvillojnë analiza lokale të rrezikut. Po ashtu kërkohet krijimi i një platforme të sigurt digjitale për shkëmbimin e informacioneve ndërinstitucionale.

Raporti u bën thirrje edhe institucioneve akademike që të marrin një rol më aktiv në ndërtimin e kundër-narrativave shkencore ndaj propagandës ekstremiste, ndërsa Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit u rekomandohet hartimi i udhëzuesve të rinj që adresojnë format bashkëkohore të radikalizimit në platformat digjitale.

Në përfundim, raporti arrin në një mesazh të qartë, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në reagimin ndaj terrorizmit, por mbetet prapa në parandalim. Pa hulumtime të përditësuara, koordinim më të mirë institucional, investime në nivel lokal dhe financim të qëndrueshëm nga shteti, sistemi rrezikon të vazhdojë të reagojë vetëm pasi rreziku të jetë shfaqur.

Për më shumë detaje, raportin e plotë mund ta gjeni në këtë LINK. Kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, njoftoi edhe për lansimin e platformës edukative për gazetarët, e cila synon të ndihmojë raportimin profesional mbi ekstremizmin e dhunshëm, terrorizmin me bazë religjioze dhe ekstremizmin e djathtë.

“Kemi zhvilluar një program edukativ për gazetarët që operojnë në Kosovë, për mënyrën se si mund të raportojnë për ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin. Platforma tashmë është lansuar, përmban tre module dhe dhjetëra materiale, të cilat gazetarët mund t’i ndjekin pa pagesë.

Ajo shpjegon kontekstin e ekstremizmit, si në nivel global ashtu edhe lokal, duke përfshirë edhe mekanizmat institucionalë në këtë fushë”, – tha Gashi. Platforma është e qasshme në KALLXO.com, dhe është e publikuar në gjuhën shqipe dhe serbe.

Burimi: Kallxo