Dezinformimi dhe gjuha e urrejtjes vazhdojnë të ndikojnë në

0%

Dezinformatat dhe fushatat propagandistike kanë ndikuar ndër vite në zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke dëmtuar klimën e investimeve, besimin në prodhimet vendore dhe marrëdhëniet tregtare me Serbinë. Cak i dezinformatave ishin prodhuesit vendorë, veçanërisht sektorët e bujqësisë dhe blegtorisë.

Përmes pretendimeve se toka ishte e ndotur dhe produktet vendore të kontaminuara, u cenua besimi i konsumatorëve, ndonëse shumë prej këtyre produkteve posedonin certifikata ndërkombëtare dhe eksportoheshin jashtë Kosovës.

Një nga dezinformatat që, sipas prodhuesve vendorë, ka dëmtuar besimin e konsumatorëve në produktet e qumështit në Kosovë ishte pretendimi se qumështoret vendore prodhonin kryesisht me qumësht pluhur. Pronari i kompanisë Qumështorja Sharri, Veli Halimi, e mohon këtë pretendim, duke thënë se ai nuk ka qenë asnjëherë i vërtetë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Propaganda ka qenë shumë e fuqishme që qumështoret e Kosovës prodhojnë produkte vetëm me qumësht pluhur. Kurrë s’ka qenë e vërtetë kjo. Ndoshta ka pasur mungesë qumështi, por është prodhuar aq sa ka pasur qumësht. Tash ka sasi të mjaftueshme për krejt Kosovën, sepse janë importuar shumë lopë prej Çekisë apo prej Austrisë” – tha Halimi.

Ai vlerëson se përhapja e këtij pretendimi lidhej me konkurrencën në treg, duke aluduar se dezinformatat janë nxitur nga importuesit e produkteve të huaja për të ulur besimin në prodhimet vendore. “Burimet janë të llojllojshme, por më shumë prej importuesve të produkteve të jashtme. Krejt shtetet që sjellin mallra në Kosovë kanë importues kosovarë.

Përfitimi i tyre është të shesin sa më shumë. Kur konkurrenca e prodhuesve vendorë rritet dhe bie niveli i shitjes së tyre, atëherë bëhet propagandë se prodhimet vendore janë me qumësht pluhur”, deklaroi Halimi.

Biznesmeni Ramiz Kelmendi, pronar i kompanisë “Elkos”, e pranon se propaganda krijon perceptime në opinion, por thotë se zhvillimi ekonomik varet nga aftësia për të tërhequr investime.

Në debatin publik rreth marrëdhënieve tregtare Kosovë–Serbi, biznesmeni Ramiz Kelmendi, i cili ka qenë edhe zëvendëskryeministër i Kosovës, është portretizuar shpesh si “tradhëtar” për shkak të importit të mallrave me Serbinë.

Kelmendi ka deklaruar se kompanitë e tij përfaqësojnë firma ndërkombëtare që prodhojnë në vendet fqinje dhe se problemi nuk qëndron te tregtia, por te paaftësia për tërhequr investime në Kosovë. Sipas tij, propaganda dhe etiketimet dëmtojnë klimën e biznesit dhe dekurajojnë bashkëpunimin ekonomik. “Me thënë të drejtën, nuk ua vë veshin fort.

Nëse nuk sanksionohesh me ligj, me llafe s’ka sanksionim. Megjithatë e krijojnë një opinion… Ne jemi përfaqësues të firmave ndërkombëtare që prodhojnë në shtetet fqinje. Nëse gjermanët e kanë hapur një kompani në Serbi, është aftësi e Serbisë që e ka tërhequr atë investim dhe dobësi e jona që nuk e kemi tërhequr” – tha Kelmendi.

Kryetari i Aleancës së Bizneseve të Kosovës, Agim Shahini, vlerëson se dezinformatat dhe gjuha e urrejtjes vijnë kryesisht nga njerëz që nuk e kuptojnë rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik. “Kjo është një dukuri e trashëguar. Ende ekziston urrejtje te një pjesë e qytetarëve në të dyja anët.

Fatmirësisht numri i tyre po zvogëlohet, sepse gjithnjë e më shumë njerëz po e pranojnë realitetin se nuk mund të jetojmë me urrejtje dhe se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy shteteve është i domosdoshëm”, tha Shahini. Ai shtoi se bizneset në Kosovë dhe Serbi vazhdojnë bashkëpunimin pavarësisht tensioneve politike. “Bizneset nga Kosova bashkëpunojnë me bizneset në Serbi dhe anasjelltas.

Qytetarët duhet të ndjekin shembullin e tyre dhe të mendojnë si sipërmarrës. Ata nuk synojnë të krijojnë pengesa, por të realizojnë interesat e tyre dhe të sigurojnë fitim”, deklaroi Shahini.

Edhe kompania prodhuese e radiatorëve panel dhe gypor “Enrad” nga Gjilani, e cila eksporton produktet e saj në tregun e Serbisë, vlerëson se lajmet e rreme mund të ndikojnë në reputacionin dhe bashkëpunimin ekonomik. “Po, lajmet e rreme dhe dezinformimi mund të krijojnë perceptime të pasakta dhe pasiguri te palët e interesuara.

Informacioni i saktë dhe i verifikuar është i rëndësishëm për ruajtjen e besimit, reputacionit dhe marrëdhënieve të qëndrueshme biznesore” – thuhet në përgjigjen e kompanisë. Sipas “Enrad”, deri më tani marrëdhëniet me klientët dhe partnerët kanë mbetur të qëndrueshme falë bashkëpunimit afatgjatë, profesionalizmit dhe besimit të ndërtuar ndër vite.

Por, sipërmarrësi nga Leposaviqi, Ivan Vuçkoviq, i cili merret me prodhimin artizanal të artikujve prej druri, vlerëson se dezinformatat nuk kanë ndikuar drejtpërdrejt në bashkëpunimin ekonomik mes prodhuesve kosovarë dhe serbë, por thotë se mungon një klimë që do ta nxiste atë. “Për të qenë i sinqertë, nuk jam përballur me gjuhë urrejtjeje kur bëhet fjalë për sipërmarrjen.

Ajo që është e vërtetë është se mediat nuk krijojnë një klimë të mjaftueshme tolerance për zhvillimin e sipërmarrjes. Pikërisht për këtë arsye kontaktet që krijohen janë shumë të pakta dhe mbështeten kryesisht në njohje personale dhe bashkëpunime private.

Mendoj se duhet punuar shumë në këtë drejtim për të krijuar një klimë që do ta nxiste shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve dhe që në të ardhmen të lidhen më mirë jugu dhe veriu”, tha Vuçkoviq. Ai shtoi se pengesat administrative vazhdojnë ta ngadalësojnë bashkëpunimin ekonomik ndërmjet bizneseve. “Duhet të punohet për lehtësimin e marrëdhënieve ndërmjet sipërmarrësve.

Është e nevojshme të bëhen shumë ndryshime në drejtim të lehtësive administrative. Gjithashtu duhet të hiqen vendimet që kufizojnë furnizimin me lëndë të parë, siç është ndalimi i importit përmes dy pikave kufitare në veri, që paraqet një problem të madh për bizneset e asaj pjese” – tha ai.

Safet Gerxhaliu, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, vlerëson se bashkëpunimi ekonomik duhet të jetë themeli i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa dezinformatat dhe gjuha e urrejtjes vetëm sa e thellojnë ndarjen dhe pengojnë proceset integruese.

Sipas Gërxhaliut, modeli i Bashkimit Evropian dëshmon se shtetet mund të ndërtojnë marrëdhënie të qëndrueshme përmes interesit ekonomik, pavarësisht dallimeve politike apo historike. “Bashkimi Evropian nuk karakterizohet me dashninë mes shteteve, por me bashkëpunim ekonomik.

Dhe besoj që një model i tillë, ku ekonomia duhet të jetë orientim i përafrimit të interesave të shteteve të Ballkanit Perëndimor, duhet të jetë edhe raporti mes Kosovës dhe Serbisë”- tha Gërxhaliu.

Ai theksoi se nëse synimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është integrimi në familjen evropiane, atëherë prioritet duhet të jetë forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe jo nxitja e ndasive përmes dezinformatave. “Është koha ku duhet ekonomia të jetë prioritet i bashkëpunimit sepse barrikadat, dezinformatat dhe gjuha e urrejtjes nuk i përshpejtojnë proceset integruese.” – deklaroi ai.

Gërxhaliu kritikoi edhe mënyrën se si trajtohen zhvillimet në marrëdhëniet Kosovë–Serbi, duke thënë se lajmet pozitive rrallë marrin vëmendje, ndërsa dominojnë raportimet për ngjarje negative, të cilat, sipas tij, ushqejnë nacionalizmin dhe krijojnë distancim ekonomik.

“Mëkati më i madh është që në raportet Kosovë-Serbi, lajmet e mira nuk janë lajme, po vetëm lajmet e këqija krijojnë opinion. Dhe tërë kjo po kalon në një dezinformim që po nxit në të dy anët një dozë të nacionalizmit, një dozë të një revolte dhe një dozë të një distancimi ekonomik, politik, social dhe kulturor.” – përfundoi ish-kryetari i Odës Ekonimike të Kosovës.

Pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme, në fund të gjithë pajtohen se stabiliteti politik, komunikimi i bazuar në fakte, mbrojtja ligjore e bizneseve dhe krijimi i një klime të favorshme për investime mbeten parakushtet kryesore për zhvillimin e tregtisë, tërheqjen e investimeve dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike në rajon.

Nga analiza e të dhënave të Doganës së Kosovës për periudhën janar–maj 2026, rezulton se Kosova ka vazhduar të ketë deficit të thellë tregtar me Serbinë. Gjatë pesë muajve të parë të vitit, eksportet e Kosovës drejt Serbisë arritën në 31.68 milionë euro, ndërsa importet nga Serbia kapën vlerën e 91.58 milionë eurove.

Kjo nënkupton se Kosova ka importuar rreth 2.9 herë më shumë mallra nga Serbia sesa ka eksportuar në këtë treg. Si rezultat, deficiti tregtar i Kosovës me Serbinë për periudhën janar–maj 2026 ka arritur në 59.9 milionë euro, në favor të Serbisë.

Burimi: Kallxo