Në Zvicër luajnë me sukses shumë futbollistë shqiptarë. Krahas tyre kemi edhe gjininë e bukur që shkëlqejnë në lojën e futbollit, siç është Lumbardha Misini, e cila me sukses po paraqitet në petkun e fitueses së Kupës së Zvicrës, Servette. Lumbardha është si violinë e ekipit, vrapon shumë, ka teknik dhe goditje të forta. E veçanta e saj është se luan edhe në mesfushë edhe në mbrojtje.
Te Servette në mesfushë, ndërsa te Kosova e angazhojnë edhe në mbrojtje e cila është shtyllë e mbrojtjes. Lumbardha ka synime të mëdha për edicionin 2026-2027, e cila synon të përgatitet në çdo aspekt me ekipin e Servettes për garat evropiane dhe me Kosovën synon të shkruajë historinë në përballjen e play-off-it kundër Austrisë. “Bota sot”: Keni disa vite që luani në futbollin zviceran.
Sa mirë jeni përshtatur me jetën dhe futbollin atje? Lumbardha Misini: Jam përshtatur shumë mirë, si me jetën ashtu edhe me futbollin në Zvicër. Fillimi ishte pak sfidues për shkak të një ambienti të ri, por me kalimin e kohës u ndjeva si në shtëpi. Futbolli zviceran është shumë profesional dhe më ka ndihmuar të zhvillohem si lojtare dhe si person.
“Bota sot”: Ky sezon ishte i jashtëzakonshëm për Servetten, duke fituar Kupën e Zvicrës. A e prisnit një sukses të tillë? Lumbardha Misini : Ne kemi besuar gjithmonë në cilësitë e ekipit tonë. E dinim që kishim potencial për të arritur gjëra të mëdha, por për të fituar trofe duhet shumë punë dhe sakrificë. Jam shumë krenare që arritëm ta mbyllim sezonin me një sukses kaq të rëndësishëm.
“Bota sot”: Sipas jush, çfarë e dalloi Servetten nga ekipet e tjera këtë edicion? Lumbardha Misini: Mendoj se forca jonë më e madhe ishte grupi. Kishim unitet, disiplinë dhe mentalitet fitues. Çdo lojtare e dinte rolin e saj dhe luftonte për ekipin, gjë që na ndihmoi shumë në momentet vendimtare.
“Bota sot”: Te Servette luani në mesfushë, ndërsa te Kombëtarja e Kosovës shpesh aktivizoheni edhe në mbrojtje. Sa sfiduese është të përshtateni me këto dy role? Lumbardha Misini : Sigurisht që kërkon përshtatje, por e shoh si një avantazh. Mundohem të jap maksimumin kudo që trajneri ka nevojë për mua.
Futbolli modern kërkon lojtare fleksibile dhe jam e lumtur që mund ta ndihmoj shtetin tim në më shumë se një pozicion. “Bota sot”: Servette do të garojë në arenën evropiane. Çfarë do të thotë ky moment për ju në aspektin personal dhe profesional? Lumbardha Misini : Është një moment shumë i rëndësishëm në karrierën time. Të luash në garat evropiane është ëndërr për çdo futbolliste.
Do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të fituar përvojë dhe për t’u përballur me ekipe të nivelit të lartë. “Bota sot”: Me cilat futbolliste shqiptare që luajnë në Zvicër keni kontakte më të afërta? Lumbardha Misini: Kam kontakte shumë të mira me disa futbolliste shqiptare që luajnë në Zvicër, si Denisa Ramaj, Qendresa Krasniqi, Viola Avduli dhe të tjera.
Është gjithmonë kënaqësi të takohemi apo të bisedojmë dhe mundohemi ta mbështesim njëra-tjetrën si brenda ashtu edhe jashtë fushës. “Bota sot”: Kosova u ngjit në Ligën B dhe tani është në play-off për një vend në Kampionatin Botëror. Çfarë e ka karakterizuar këtë rrugëtim të suksesshëm? Lumbardha Misini : Besimi, puna dhe uniteti.
Kemi krijuar një grup shumë të fortë dhe çdo lojtare ka dhënë maksimumin për fanellën e Kosovës. Ky sukses është rezultat i punës së vazhdueshme të gjithë ekipit. “Bota sot”: Sa e njihni Austrinë si kundërshtare dhe sa besoni se Kosova mund të arrijë një rezultat historik?
Lumbardha Misini: Austria është një kundërshtare shumë cilësore dhe me përvojë, por ne i respektojmë të gjitha ekipet pa iu frikësuar askujt. Besoj se me përgatitjen e duhur dhe me shpirtin luftarak që na karakterizon, mund të synojmë një rezultat pozitiv dhe të luftojmë për të arritur diçka historike për futbollin e Kosovës.
“Bota sot”: Cila ndeshje ju ka mbetur më shumë në zemër dhe cila ka qenë zhgënjimi më i madh në karrierën tuaj? Lumbardha Misini : Ndeshja që më ka mbetur më shumë në zemër është debutimi im me Kombëtaren A të Kosovës kundër Estonisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në vitin 2020. Ishte një moment shumë i veçantë dhe krenari e madhe për mua.
Sa i përket zhgënjimit, nuk do ta quaja domosdoshmërisht zhgënjim, por dy ndeshjet e play-off-it kundër Turqisë për ngjitje në Ligën B më kanë mbetur gjatë në mendje. Besoj se si ekip kemi dhënë shumë dhe rezultati përfundimtar nuk e ka pasqyruar plotësisht atë që treguam në fushë. Megjithatë, futbolli i ka edhe këto momente dhe ato na bëjnë më të forta për sfidat e ardhshme.
“Bota sot”: Rruga juaj drejt futbollit elitar nuk ka qenë e lehtë. Si lindi dashuria juaj për futbollin? Lumbardha Misini: Dashuria për futbollin ka lindur që në fëmijëri. Gjithmonë kam kaluar shumë kohë me topin dhe kam ëndërruar të bëhem futbolliste profesioniste. Me mbështetjen e familjes dhe me shumë punë, arrita ta ndjek këtë ëndërr.
“Bota sot”: Cila futbolliste ka qenë idhulli juaj dhe pse? Lumbardha Misini: Futbollistja që kam admiruar më së shumti është Alexia Putellas. Më pëlqen mënyra se si e udhëheq ekipin, inteligjenca e saj në lojë dhe profesionalizmi që tregon çdo ditë. Ajo është shembull i punës, përkushtimit dhe mentalitetit fitues.
“Bota sot”: Çfarë mesazhi apo premtimi keni për tifozët e Servettes për sezonin e ri? Lumbardha Misini : I falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme. Premtoj se do të jap maksimumin në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje. Do të luftojmë për të arritur objektivat tona dhe për t’i bërë tifozët krenarë me paraqitjet tona gjatë gjithë sezonit.
