Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është arrestuar personi i dyshuar për vrasjen e imamit në fshatin Zlipotok të Komunës së Dragashit, një rast që ka tronditur opinionin publik.
Lajmi për Telegrafin është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka theksuar se operacioni për lokalizimin dhe kapjen e të dyshuarit është realizuar pas veprimeve intensive hetimore dhe operative.
“Pas veprimeve intensive operativo-hetimore të ndërmarra pa ndërprerje nga Policia e Kosovës, është arritur të lokalizohet dhe të arrestohet i dyshuari për rastin e vrasjes në fshatin Zlipotok, Dragash”, ka deklaruar Bytyqi. I vrari në Dragash dyshohet se ishte imam – detaje të reja nga therja me thikë në Zlipotok Ai ka bërë të ditur se në këtë operacion janë përfshirë njësi të ndryshme policore, duke përfshirë edhe mjete të specializuara për kërkim dhe vëzhgim.
“Në operacionin për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit janë angazhuar njësi të ndryshme policore, duke përfshirë përdorimin e dronit për vëzhgim nga ajri, si dhe njësinë policore me qen (K-9)”, ka shtuar ai. Sipas policisë, i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe ndaj tij do të vazhdojnë procedurat e mëtejme hetimore në koordinim me prokurorin kompetent.
Ndërkohë, rasti dyshohet se ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në fshatin Zlipotok, ku imami i xhamisë është vrarë pas një përleshjeje, në të cilën është përdorur edhe një mjet i mprehtë. / Telegrafi
