Një 47-vjeçar ka mbetur i vrarë në mbrëmjen e së dielës, 29.06. 2026, në fshatin Zlipotok të Dragashit, ndërsa i dyshuari për rastin ndodhet në arrati. Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale në Prizren, Shaqir Bytyqi. Sipas Bytyqit, Policia është njoftuar rreth orës se në fshatin Zlipotok kishte ndodhur një rrahje mes disa personave.
“Me arritjen në vendin e ngjarjes, patrulla policore ka gjetur një person të shtrirë në tokë. Dyshohet se lëndimet i janë shkaktuar me një mjet të mprehtë” – tha Bytyqi. Ekipi mjekësor nga QKMF-ja në Dragash ka dalë në vendin e ngjarjes, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës, G.T., 47 vjeç, nga fshati Zlipotok.
Sipas Policisë, si i dyshuar për vrasjen është identifikuar B.H., 40 vjeç, po ashtu nga Zlipotoku. “I dyshuari ndodhet në arrati, ndërsa që nga mbrëmja e kaluar Policia është duke ndërmarrë veprime intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij” – deklaroi Bytyqi.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Stacionit Policor në Dragash, komandanti i stacionit dhe hetuesit rajonalë nga Prizreni, të cilëve më vonë u janë bashkuar edhe njësi të tjera policore. Hetimet janë duke u zhvilluar në koordinim me prokurorin e shtetit, ndërsa Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
