RROK me letër të hapur ndaj Shaqir Totajt: Proceset e financimit në

0%

Rrjeti i Organizatave të Komunës së Prizrenit i është drejtuar me një letër të hapur kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, duke shprehur shqetësime për mënyrën se si, sipas tyre, po trajtohet sektori i pavarur kulturor, veçanërisht në proceset e financimit publik dhe në raportin institucional me organizatat kulturore.

Në letrën publike, organizatat vlerësojnë rritjen e buxhetit për kulturë gjatë mandatit të kryetarit Totaj, por theksojnë se kjo nuk është e mjaftueshme nëse nuk shoqërohet me procese transparente dhe profesionale.

“Një politikë publike nuk matet vetëm me shumën e mjeteve të ndara, por me mënyrën se si ato shpërndahen, me cilësinë e proceseve, me profesionalizmin e administrimit dhe me besimin që krijojnë te qytetarët dhe komunitetet të cilave u shërbejnë”, thuhet në letër.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas Rrjetit të Organizatave, pavarësisht rritjes së buxhetit, Komuna e Prizrenit nuk ka arritur të krijojë një sistem të qëndrueshëm dhe të bazuar në meritë për mbështetjen e kulturës.

RrOK kritikon Komunën e Prizrenit për subvencionet kulturore për vitin 2026 “Përkundër rritjes së mjeteve, Komuna nuk ka arritur të ndërtojë një sistem të qëndrueshëm, profesional dhe të bazuar në meritë për mbështetjen e kulturës. Vendimet e viteve të fundit kanë prodhuar pasiguri, mungesë transparence dhe një perceptim të gjerë për trajtim preferencial”, thuhet më tej në reagim.

Organizatat shprehin shqetësim edhe për vonesat në ekzekutimin e mjeteve të miratuara nga thirrjet publike të vitit të kaluar, duke pretenduar se një pjesë e organizatave ende nuk i kanë pranuar fondet e aprovuara.

“Edhe më shqetësues është fakti se një pjesë e organizatave ende nuk i kanë pranuar mjetet e miratuara nga thirrjet e vitit të kaluar, pa një sqarim të qartë publik për vonesën dhe pa një afat të besueshëm për ekzekutimin e tyre”, thuhet në letër.

Në reagimin e tyre, organizatat theksojnë se sektori i pavarur kulturor ka luajtur rol kyç në zhvillimin e identitetit kulturor të Prizrenit, duke kontribuar në organizimin e festivaleve dhe ngjarjeve me reputacion ndërkombëtar, promovimin e diversitetit kulturor, zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë kreative. “Kultura e Prizrenit nuk është produkt i një mandati politik.

Ajo është rezultat i punës së përbashkët të qindra artistëve, aktivistëve, organizatave, komuniteteve dhe qytetarëve gjatë dekadave të fundit”, thuhet në dokument.

“Durmish Aslano” akuzon DKRS-në në Prizren për përjashtim të komunitetit rom nga granti komunal Rrjeti i Organizatave vlerëson se organizatat kulturore nuk duhet të trajtohen si përfituese të rastësishme të subvencioneve, por si partnerë strategjikë të qytetit.

Në letrën drejtuar kryetarit Totaj, organizatat paraqesin dy alternativa: hapjen e një dialogu të mirëfilltë dhe rishikimin e proceseve të kontestuara, ose vazhdimin e, siç e cilësojnë, injorimit të shqetësimeve të sektorit kulturor. “Përballë jush qëndrojnë dy rrugë.

E para është të pranoni se proceset e deritanishme kanë prodhuar probleme serioze, të hapni dialog të mirëfilltë me sektorin dhe të punoni për krijimin e një politike kulturore të drejtë, profesionale dhe zhvillimore. E dyta është të vazhdohet me injorimin e kërkesave dhe shqetësimeve të sektorit, duke prodhuar një klimë mosbesimi, polarizimi dhe konflikti të panevojshëm”, thuhet në letër.

Organizatat kërkojnë nga Komuna e Prizrenit publikimin e arsyetimeve të plota për vlerësimet e thirrjeve publike në kulturë, sqarimin e statusit të pagesave të papërfunduara, rishikimin e ankesave dhe krijimin e një grupi të përbashkët pune me sektorin e pavarur kulturor.

Po ashtu, ato i kanë bërë thirrje kryetarit të Prizrenit që të nisë një proces serioz dialogu me organizatat kulturore, me qëllim të krijimit të një modeli më transparent dhe afatgjatë të mbështetjes publike për kulturën. “Prizreni meriton më shumë”, përfundon letra e hapur e Rrjetit të Organizatave të Komunës së Prizrenit. / Telegrafi

Burimi: Telegrafi