Kur Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Libani nënshkruan një marrëveshje kornizë trepalëshe në Uashington, reagimi në Teheran ishte i menjëhershëm – dhe në mbarë spektrin politik të mediave të lidhura me shtetin iranian – dhe pothuajse njëzëri armiqësor.
Marrëveshja, përmes së cilës Libani zotohet për çarmatosjen e Hezbollahut si parakusht për tërheqjen e forcave izraelite nga jugu i Libanit u përshkrua si një “dokument i turpit”, si “gabim strategjik” dhe “poshtërues” nga mediat iraniane, duke filluar nga transmetuesi shtetëror e deri te mediat që kanë lidhje të ngushta me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Kritika kishte të bënte më pak me vetë ekzistencën e marrëveshjes dhe më shumë me renditjen e pikave të saj të zbatimit.
Çdo media e madhe u përqendrua në të njëjtën gjë: se tërheqja izraelite kushtëzohet me çarmatosjen e Hezbollahut, dhe jo e kundërta – një formulim që komentatorët iranianë e paraqitën si dëshmi se marrëveshja ishte diktuar nga Izraeli dhe ishte miratuar formalisht nga Qeveria libaneze që ata e përshkruan si “properëndimore” dhe “të nënshtruar”.
Hezbollahu është grup militant dhe parti politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit. Është shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërkaq Bashkimi Evropian ka futur në listë të zezë vetëm krahun e tij të armatosur.
Ajo çfarë gjerësisht mungonte në mbulimin e mediave iraniane ishte trajtimi serioz i pozicionit të Qeverisë libaneze – se ajo ka ndikim të kufizuar në luftën ku Izraeli ka epërsi ushtarake dhe mbështetje të pakushtëzuar nga SHBA-ja.
Qeveria e Libanit ka synuar që ta distancojë veten nga Teherani, i cili ka përdorur krijimin dhe financimin e Hezbollahut në Liban që ta bëjë një nyje strategjike për të projektuar fuqinë e tij rajonale. Por, disa në Iran thanë se Qeveria libaneze mund të ketë shkuar shumë larg në drejtimin e kundërt me këtë marrëveshje.
Gazeta Iran, që udhëhiqet nga Qeveria, e quajti “basti i madh i Aounit dhe Salamit”, një formulim që i vë fajin drejtpërdrejtë presidentit libanez, Joseph Aoun, dhe kryeministrit Nawaf Salam, në vend se ta trajtojë Libanin si shtet.
Agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA, e përshkroi marrëveshjen si një “marrëveshje akomoduese”, dhe raportimi ishte i mbushur me shprehje të diskursit politik iranian që mbartte konotacione të ashpra të kapitullimit.
Sulmet me raketa të Hebollahut ndaj Izraelit më , të kryera në solidaritet me sulmin shkatërrues të Hamasit një ditë më parë, nxitën luftën njëvjeçare ndërkufitare që u përshkallëzua me vrasjen e udhëheqësve kryesorë të Hezbollahut, një pushtim tokësor në jug të Libanit dhe shkatërrime të mëdha. Hamasi është grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Izraeli ka pushtuar një pjesë të territorit në jug të Libanit gjatë luftimeve të reja me Hezbollahun që nisën më 2 mars, kur ky grup, që mbështetet nga Teherani, hapi zjarr ndaj Izraelit pasi Irani u godit nga sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit. Zgjidhja e çështjes Liban-Izrael ka qenë në qendër të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit më të gjerë mes Iranit dhe SHBA-së.
Teherani ka ngulur këmbë vazhdimisht se një marrëveshje paqeje duhet të përfshijë edhe Libanin. Uashingtoni, ndërkaq, ka ndihmuar në lehtësimin e dialogut mes Libanit dhe Izraelit edhe pse udhëheqja e Hezbollahut ka qenë kundër kësaj lëvizjeje.
Gazeta Jaam-e Jam e transmetuesit shtetëror iranian IRIB e paraqiti marrëveshjen si shkelje të ligjit libanez, duke iu referuar një statuti të vitit 1955 që ndalon negociatat e drejtpërdrejta me Izraelin.
Gazeta argumentoi se Bejruti kishte pranuar çarmatimin e Hezbollahut “kundër interesit kombëtar”, teksa forcat izraelite vazhdojnë të mbeten në territorin libanez, dhe shkoi më tej duke sugjeruar se Izraeli po e përdor procesin diplomatik për të arritur zgjerim territorial që nuk kishte arritur ta siguronte ushtarakisht që nga viti 2000 – referencë për tërheqjen e Izraelit nga jugu i Libanit po atë vit, pas 18 vjetësh okupim.
Agjencia e lajmeve Tasnim, e lidhur me IRGC-në, po ashtu tërhoqi paralele historike, duke thënë se kur Siria u përpoq të shfaqte një fytyrë më të moderuar ndaj Uashingtonit dhe Izraelit vitin e kaluar, aeroplanët izraelitë bombarduan pallatin presidencial në Damask dhe tanket izraelite avancuan në fshatra siriane për të mbrojtur pakicën fetare druze, pas disa ditësh dhune vdekjeprurëse sektare.
Mësimi i nxjerrë: Akomodimi dhe rezistenca prodhojnë të njëjtin rezultat nga Izraeli, prandaj Libani nuk duhet të presë ndonjë përfundim tjetër.
Tasnim publikoi gjithashtu deklaratën e sekretarit të Përgjithshëm të Hezbollahut, Naim Qassem, i cili e quajti marrëveshjen “të pavlefshme” dhe “poshtëruese”, dhe përmendi sërish kërkesën e tij që të zbatohet teksti i memorandumit të mirëkuptimit Iran-SHBA për Libanin – duke pretenduar drejtpërdrejt se korniza Iran-SHBA duhet të zëvendësojë atë që Uashingtoni ndërmjetësoi mes Izraelit dhe Libanit.
Në njoftimin për marrëveshjen trepalëshe më 26 qershor, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e quajti marrëveshjen “hap të parë” në proces, duke shtuar se “ka shumë punë përpara”. “ Ne në asnjë mënyrë nuk e nënvlerësojmë vështirësinë e detyrës që kemi përpara, por e kuptojmë rëndësinë e saj, sa jetike është ”, tha Rubio.
Gazeta konservatore Agaah e pa marrëveshjen, siç pritej, në mënyrë krejt të ndryshme, duke e quajtur “dokument turpi”, ndërsa veçoi Aounin, ish-komandant ushtarak, duke e dënuar e duke argumentuar se një ushtarak kishte nënshkruar për dorëzimin e sovranitetit libanez.
Gazeta po ashtu paralajmëroi se financimi amerikan për forcimin e Forcave të Armatosura Libaneze është i dizajnuar për të nxitur konflikt të brendshëm mes ushtrisë dhe Hezbollahut, duke parashikuar se çdo përplasje e tillë do të përfshinte edhe atë që e quajti “Takfiri i Sirisë” – referencë për Qeverinë në Damask, të udhëhequr nga Ahmed al-Sharaa, si një faktor shtesë destabilizues. / REL
